Roli i Astrit Selmanit te Hammarby suedez ka ndryshuar në dimër.
Në ndeshjen e Kupës ky rol i ka dhënë më pak mundësi për të shkëlqyer.
Megjithatë, reprezentuesi i Kosovës ka thënë se roli i ri do t’i ndihmojë shumë në planet afatgjate.
Hammarby e mposhti Falkenbergun 2:1 të dielën. Skuadra e Falkenbergut ra në rangun e tretë të futbollit suedez vitin e shkuar, por i shkaktoi telashe skuadrës së Selmanit, që luan në elitën suedeze.
“Fituam por nuk ishte paraqitje e mirë nga ne”, ka thënë Selmani për “fotbollskanalen”.
Sulmuesi i qendrës nuk kishte shumë punë në zonë.
“Nuk kishim shumë topa brenda në zonë. E dërgonim topin përreth zonës së tyre, por nuk ndodhi asgjë. Më duhej të qëndroja me dy mesfushorë për 95 minuta. Është shumë e vështirë kur topat nuk shkojnë aty ku duhet”, shtoi Selmani.
“Duhet të kemi besim te njëri-tjetri. Puna ime është që mesfushorët të mos i lë të avancojnë nga fusha jonë. Është një punë e mundimshme, një punë e padukshme. Vrapoja aq sa mundesha por dukej sikur po vrapoja në sipërfaqe. Nuk është kënaqësi por të tilla janë disa ndeshje”.
Qartë, pozita e Selmanit ka ndryshuar dukshëm nga viti i kaluar. Nuk e ka më rolin e nëntëshit që e kishte në edicionin që shkoi.
“Po, ka ndryshim në rol. Më shumë jam në qendër duke u munduar t’i pengoj të gjithë mesfushorët, në mënyrë që t’u krijoj hapësira të tjerëve. Më pas mund të shkoj drejt qendrës, por e pëlqyeshme është që dhjetëshi i skuadrës të jetë atje. Por, mendoj se kjo do të më ndihmoj në planet afatgjata”, tha Selmani.