Sulmuesi kosovar, Astrit Selmani, ka shkuar në gjysmëfinale të Kupës së Suedisë me skuadrën e Hammarbyt.
Hammarby fitoi me rezultatin 3:2 kundër Trelleborgsit pas vazhdimeve, pasi koha e rregullt përfundoi me rezultatin e barabartë, 1:1.
Selmani luajti deri në minutën e 85-të.
Selmani është kandidat për ta përfaqësuar Kosovën, por nuk ishte i pranishëm në tri duelet që Kosova i luajti në muajin mars, për shkak të koronavirusit.
Edhe ndeshja ndërmjet Hammarbyt e Trelleborgsit ishte paraparë të zhvillohej më herët, por te Hammarby javë më parë, dolën 16 raste pozitive me koronavirus.
Nga ai grup i madh i personave me Covid-19, i prekur ishte edhe vetë sulmuesi 23-vjeçar. Selmani në edicionin aktual ka luajtur në katër ndeshje. E ka një gol të shënuar dhe katër asistime.