Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Selmanaj i lumtur me fitoren në Lituani

Halim Selmanaj ka qenë prej më të mirëve në parket të mërkurën në Kaunas të Lituanisë në fitoren e Prishtina 01 kundër Kampuksen Dynamos të Finlandës. Selmanaj dha kontributin e tij në fitoren e thellë 6:0 në raundin kryesor të Ligës së Kampionëve në futsall.

E shënoi golin e parë në ndeshje për t’i hapur rrugë fitores pa telashe. “Lima”, siç e thërrasin të gjithë, ka thënë të mërkurën për KOHËN se është shumë i lumtur me fitoren.

“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e gjithë skuadrës. Jemi përgatitur maksimalisht për t’i zhvilluar këto ndeshje të Championsit në Lituani”, ka theksuar Selmanaj.

Prishtina 01 në ndeshjen e së mërkurës nuk e pati në radhët e veta edhe Ermir Kryeziun, shkaku i suspendimit. Me kthimin e Kryeziut të enjten, Prishtina 01 do të ketë armë shtesë dhe e gjithë skuadra do të jetë e gatshme për lojë. Të enjten nga ora 18:00, Prishtina 01 luan kundër Kauno Zhalgirisit, që vlerësohet favorit i Grupit 7. Në këtë grup është edhe AEL-i i Qipros.

“Ndeshja me Kauno Zhalgirisin mund të jetë vendimtare për kualifikim. Besoj se me fitore mund të kualifikohemi në ‘Elite Round’. Shpresojmë t’ia dalim nesër. Jemi të kompletuar sepse e kemi pasur edhe Ermirin mungesë për shkak të kartonëve. Pjesa tjetër e ekipit është pa lëndime dhe pa telashe tjera. Jemi të gatshëm të gjithë dhe urojmë të kemi sukses”, është shprehur Selmanaj.