Prishtina 01 ka barazuar në ndeshjen e dytë të Grupit 7 në raundin kryesor të Ligës së Kampionëve në futsall. Kryeqytetasit të mërkurën në mbrëmje në Kaunas të Lituanisë barazuan pa gola me favoritin e grupit, Kauno Zhalgiris. Ndeshja u mbyll 0:0, ndonëse rastet ishin të panumërta për të dyja skuadrat. 36 tentime për të shënuar i pati skuadra lituane, derisa prishtinasit tentuan 19 herë, por pa arritur që ta dërgojnë topin në rrjetë. Kryeqytetasit në fundin e ndeshjes kanë mundur shumë lehtë të fitojnë penallti. Kur kishin mbetur edhe 50 sekonda lojë, njëri prej lojtarëve më të mirë te Prishtina 01, Halim Selmanaj, u ndal si lojtar i fundit. Gjyqtarët nuk dhanë gjuajtje të lirë, ndërsa mysafirët protestuan për një gjë të tillë. Po të akordohej goditje e lirë, do të ishte dënimi i gjashtë për skuadrën e Kauno Zhalgirisit. Gjashtë faulle të shkaktuara në futbollin e sallës jepet penallti. Një gjë e tillë iu mohua prishtinasve.
Më pas, vendësit nuk shfrytëzuan rastin që patën dhe ballafaqimi më i fortë i grupit u mbyll baras. Pas dy ndeshjeve të luajtura, Grupit 7 i prijnë Kauno Zhalgirisi dhe Prishtina 01, që kanë nga katër pikë. Tri pikë i ka Kampuksen Dynamo që të enjten gjatë ditës fitoi ndaj AEL-it qipriot. AEL-i është i fundit pa pikë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Barazim që ende na mban në garë. FC Prishtina 01 ka barazuar ndaj vendësve të Kaunas Zhalgiris me rezultatin 0:0. Edhe pse kishim shumë raste për shënim, fati në pjesën më të madhe të lojës nuk ishte me ne. Pas dy ditësh zhvillohen ndeshjet e treta të grupeve ku takohemi me AEL-in”, ka shkruar pas ndeshjes Prishtina 01 në Facebook.
Në “Elite Round” kualifikohet vetëm fituesi i grupit. Prishtina 01 takohet me AEL-in më 28 tetor, kurse Kauno Zhalgiris ballafaqohet me Kampuksen Dynamo të Finlandës. Prishtina 01 duhet vetëm që ta fitojë ndeshjen e të shpresojë në dështimin e skuadrës nga Lituania. Në rast se Prishtina 01 dhe Kauno Zhalgiris përfundojnë baras me pikë në fund të këtyre ballafaqimeve, atëherë tutje kalon skuadra me goldallimin më të mirë, pasi ndeshja e ndërsjellë mes tyre është e barabartë. Prishtina 01 ndeshjen e parë e fitoi 6:0 ndaj Kampuksen Dynamos dhe godallimin e ka +6. Ndërkohë, Kauno Zhalgiris triumfoi ndaj AEL-it, 10:3. Goldallimin e ka +7. Kryeqytetasve u duhet fitorja për të shpresuar në kualifikim që do të ishte suksesi i dytë nga një skuadër e Kosovës që kualifikohet në “Elite Round”. Një gjë të tillë vite më parë e kishte shënuar Feniksi i Drenasit. Por me barazimin pa gola ndaj Kauno Zhalgirisit, gjasat për kualifikim tutje janë zbehur. Shorti për “Elite Round” tërhiqet më 2 nëntor, kurse ndeshjet e fazës së grupeve zhvillohen prej 28 nëntor deri më 3 dhjetor.