Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Selektori i Austrisë e ka në plan Kamerin

Selektori i Austrisë, Ralf Rangnick, ka publikuar listën për duelet në Ligën e Kombeve ndaj Francës dhe Kroacisë. Pjesë e listës nuk është Dijon Kameri, futbollisti që po shkëlqen me paraqitje te Salzburgu.

Rangnick në një deklaratë ka sqaruar arsyen pse nuk e ka ftuar 18-vjeçarin, që debutoi në Ligën e Kampionëve javën e kaluar kundër Milanit.

“E kam parë atë djalosh në disa ndeshje, përfshirë edhe ato me Listenaun por edhe kundër Milanit kur luajti nga fillimi. Ai sigurisht është një lojtar që ka të ardhme të ndritur dhe herët apo vonë do të jetë pjesë e ekipit të parë”, ka thënë Rangnick të martën, shkruan “laola1.at”.

“Kam vendosur që ta lë Kamerin me skuadrën U19 për shkak se kanë ndeshje kualifikuese”, ka theksuar Rangnick, ish-trajneri i Manchester Unitedit.

Austria U19 këtë muaj do t’i zhvillojë tri ndeshje kualifikuese për Evropianin e vitit të ardhshëm.

Kameri vlerësohet supertalent. Ai aktualisht është pjesë e të rinjve të Austrisë. Por ka deklaruar se është i hapur për Austrinë dhe Kosovën.