Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Saraçini: Kosova dëshmoi krenarinë e saj në Beograd

Kreu i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini pas kthimit nga Serbia në konferencë për media ka treguar për rrugëtimin që hendbollistet patën në shtetin fqinj.

Kosova U20 në hendboll për femrat nuk u lejua që të zhvillonte ndeshjet në turneun kualifikues për Botëror që do të duhej të zhvillohej në afërsi të Beogradit, dhe ndeshjen ndaj Serbisë përfaqësuesja e Kosovës e fitoi në tavolinë për shkak të mos paraqitjes së kundërshtarit në sallë, transmeton Koha.net.

Saraçini thotë se ishte një rrugë shumë e lodhshme, dhe pati një lodhje psiqike.

“Ishte një rrugë e gjatë prej Beogradit deri këtu. Vajzat kanë përjetuar lodhje psiqike për shkak të ngjarjeve atje. Por, vet Kosova përfitoi një përvojë të re, dëshmoi krenarinë e saj dhe që është e gatshme për të konkurruar. Ky turne u anulua me vendime politike, por manipulimet politike nuk përkojnë me synimet tona”, thotë ai.

Saraçini ka shtuar se i kanë ofruar Federatës Evropiane të Hendbollit që ndeshjet e mbetura ndaj Norvegjisë e Sllovakisë të luhen në Kosovë, por që një mundësi e tillë është hedhur poshtë.

“I kemi ofruar Federatës Evropiane që ndeshjet e mbetura të vazhdojnë në Kosovë por nuk është pranuar një gjë e tillë. Në aktivitet shuam me bindjen për të qenë sportist të denjë”, ka thënë ai.

Saraçini më tutje ka thënë se ishte një kënaqësi e veçantë kur hendbollistet kishin veshur fanellat me mbishkrimin Kosova në Beograd që në njëfarë forme është historike.

“Këto fanella që i kanë pasur veshur këto vajza me mbishkrimin Kosova ishte ajo që e bën njëfarëlloj historie të këtij turneu në mes të Serbisë, në Beograd. Kjo është një kënaqësi ekstra e jona dhe e të gjithëve që ishin atje. Shpresoj që në të ardhmen Kosova s’do të luajë pa simbole pa marrë parasysh situatave që krijohen”, ka thënë Saraçini.

Më poshtë mund ta dëgjoni konferencën e FHK-së. 

Artikuj të ngjashëm