Përzgjedhësi i Portugalisë, Fernando Santos, nuk do të largohet nga posti i tij para plejofit për Kampionatin Botëror “Katari 2022” që do të mbahet në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Mediumet portugeze kanë raportuar të martën se Santos do të jetë në krye të Portugalisë edhe për ndeshjet e plejofit, ndonëse kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo ishte shumë i zemëruar me të pas humbjes nga Serbia 2:1. Disfata në shtëpi nga Serbia, ka bërë që Portugalia të mbetet e dyta në grup dhe pjesëmarrjen në Botëror ta kërkojë nëpërmjet kualifikimit. Presioni ndaj Santosit është shumë i madh, sidomos pas dështimit për të përfunduar në pozitën e parë në grupin që përbëhej nga Serbia, Irlanda, Luksemburgu dhe Azerbajxhani. Përfaqësuesja e Portugalisë përfundoi e dyta në Grupin A me 17 pikë, tri më pak se Serbia pas tetë ndeshjeve të zhvilluara në kuadër të ciklit kualifikues për Botërorin e vitit të ardhshëm.
“Fernando Santos nuk do të largohet nga Portugalia pa e shpaguar veten në plejof. Ai do të mbetet në krye të ekipit, pasi është i bindur se mund ta kualifikojë Portugalinë për Kampionatin Botëror përkundër presionit dhe thirrjeve për largimin e tij. Pra, Santos është i sigurt deri pas plejofit”, ka thënë një burim i Federatës së Futbollit të Portugalisë për të përditshmen “A Bola”. “Pozita e përzgjedhësit nuk është e rrezikuar dhe Santosi do ta udhëheqë Portugalinë në plejof. Ne kemi besim të madh në Santosin dhe presim që ai të na kualifikojë në Kampionatin Botëror”.
Të martën, gazeta tjetër portugeze “Record” ka kritikuar ashpër Santosin. Në një artikull të publikuar, thuhet se metodat e Santosit janë tejet të vjetruara dhe se futbollistët janë lodhur prej tyre. Në fakt, pas humbjes nga Serbia, u vërejt dëshpërimi i kapitenit Ronaldo kundrejt tij. Santos shkoi për t’ia zgjatur dorën Ronaldos, i cili fillimisht vetëm e shikoj përpara se t’ia zgjasë dorën dhe të vazhdojë rrugën për në zhveshtore. Në fakt, Santos ishte shumë kritik ndaj lojtarëve të tij duke thënë se disfata ndaj Serbisë erdhi për shkak të frikës së tyre për të sulmuar. Madje, sipas tij, i vetmi ishte Bernardo Silva që vazhdimisht e kërkonte topin.
“Përgjegjësia është e imja, por nuk shqetësohem aspak për shkak se jam më se i bindur se do të jemi në Katar vitin e ardhshëm”, është shprehur Santos.
Edhe
Ronaldo beson se Portugalia mund të kualifikohet në Botëror nëpërmjet plejofit
Santos 67-vjeçar është në krye të Portugalisë prej vitit 2014, ndërsa suksesin më të madh e arriti në vitin 2016 kur triumfoi në Kampionatin Evropian. Nën drejtimin e tij, Portugalia triumfoi edhe në edicionin e parë të Ligës së Kombeve në vitin 2019. Optimist sikurse Santosi për kualifikim në Botërorin “Katari 2022”, është shprehur edhe mesfushori i Manchester Cityt, Bernardo Silva. Madje, Silva u ka kërkuar falje publike tifozëve të Portugalisë për dështimin që të kualifikohen direkt në Kampionatin Botëror. Edhe Silva është shprehur optimist para ndeshjeve të plejofit, për të cilat shorti do të tërhiqet në fund të këtij muaji.
“E di që i kemi zhgënjyer tifozët tanë dhe u kërkoj falje për dështimin që të kualifikohemi për Botërorin e vitit të ardhshëm. Nuk kemi luajtur mirë gjatë kualifikimeve, por me bindje të plotë e them, se do të jemi shumë më të mirë dhe më efikasë në muajin mars. Do ta japim më të mirën nga vetja për të qenë në Katar”, është shprehur Silva.