Sulmuesi i Përfaqësueses së Gjermanisë, Karim Adeyemi do të largohet nga skuadra e Salzburgut në fund të këtij sezoni.
Largimin e tij e ka konfirmuar edhe presidenti i Salzburgut, Harald Lurzer, i cili ka pranuar se për Adeyemin ka oferta të shumta nga skuadrat e mëdha të Evropës.
Megjithatë, Lurzer nuk e ka zbuluar emrin e ekipit të ardhshëm të Adeyemit. Deri më tani, skuadrat favorite për të siguruar shërbimet e tij, ishin Bayerni dhe Paris Saint-Germaini.
“Ne tashmë jemi pajtuar që Adeyemi do ta bëjë hapin e ardhshëm në karrierën pas përfundimit të këtij sezoni. Po ashtu, ne si klub nuk duam ta pengojmë atë të bëjë një lëvizje të tillë”, ka thënë Lurzer.
19-vjeçari ka shënuar 15 gola në 22 ndeshje këtë sezon për Salzburgun, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2024.