Sport

Sakrifica e Elbasan Rashanit për Clermontin

Elbasan Rashani

Elbasan Rashani të dielën luajti në pozitën e tij natyrale. Ai u paraqit si sulmues i krahut të majtë, kurse luajti deri në minutën e 70-të në ndeshjen ndaj Angersit, të cilën Clermonti e fitoi 2:1.

Rashani mori notë të mirë për paraqitjen e 25-të me fanellën e Clermontit në këtë edicion të Ligue 1 të Francës.

Futbollisti 29-vjeçar i Kosovës ka shënuar tri gola dhe ka asistuar dy herë në edicionin aktual të kampionatit francez. Ai të dielën për KOHËN e ka cilësuar të veçantë edicionin aktual. Sidomos për faktin që jo gjithnjë e kishte rastin, si të dielën, që të luante në pozitën natyrale.

“Sigurisht që mund të kisha pasur më shumë gola dhe asistime këtë kampionat, por ka qenë një sezon i veçantë për mua. Kam luajtur në gjashtë pozicione të ndryshme në fushë. Kam luajtur mbrojtës i krahut të majtë, mbrojtës i krahut të djathtë, mesfushor qendror, mesfushor krahu, mesfushor ofensiv dhe sulmues”, ka thënë Rashani për KOHËN.

Ai nuk është penduar që ka pranuar të luajë edhe në pozita jonatyrale. Për të me rëndësi është të japë kontribut për skuadrën.

“Kam sakrifikuar statistikat personale të golave ​​dhe vazhdimësinë për ekipin, por nuk jam penduar. Kjo do të thotë shumë për klubin, që të kemi sukses si ekip”, është shprehur futbollisti i rregullt i Përfaqësueses së Kosovës.

Rashani i mungoi Kosovës në dy ndeshjet e muajit të kaluar, që ishin kualifikuese për Evropianin e vitit të ardhshëm. Po ashtu i mungoi klubit francez në tri ndeshje.

Ai është i lumtur me fitoren e tretë rresht të arritur nga Clermonti. Të tri fitoret janë arritur pas kthimit të Rashanit nga lëndimi.

“Isha i trishtuar kur humba tri ndeshje me klubin dhe dy ndeshje ndërkombëtare. Por është shumë mirë që i fituam të tri ndeshjet pas lëndimit. Këto tri ndeshje ishin absolutisht vendimtare për ne për të siguruar vendin në Ligue 1”, është shprehur Rashani.

Clermonti të dielën është forcuar në vendin e 11-të me 43 pikë.

Rashani prej verës së vitit 2021 është pjesë e Clermontit. Me Rashanin në përbërje, Clermonti për herë të parë luajti në elitën franceze. Përfundoi në vendin e 17-të, duke evituar rënien. Kontributi i Rashanit ishte i madh. Ai veçon dy golat që ia shënoi Lyonit gjatë edicionin e kaluar. Kishte arsye të fortë.

“Ndeshja më e veçantë për mua në Ligue 1 është ajo kundër Lyonit vitin e kaluar. Jo vetëm sepse shënova dy gola, por edhe kur u luajt takimi. Atë verë humba babanë tim, kështu që ishte një mënyrë e përsosur për ta nderuar atë”, ka thënë Rashani i emocionuar.

Emocione ka pasur edhe në paraqitjen kundër PSG-së, të udhëhequr në fushë nga superylli Lionel Messi.

“Sigurisht që është e veçantë të luash kundër Messit. Të gjithë i dinë cilësitë e tij, por ishte mësim shumë i mirë të gjendeshe në gjysmën e kundërt të fushës”.

Rashani para se ta përfaqësonte Kosovën luajti për të gjitha grupmoshat e Norvegjisë. Debutimin si senior në nivel Përfaqësueseje e bëri te Kosova. Për Kosovën ka luajtur 22 ndeshje, prej qershorit të vitit 2016. Ka shënuar katër gola.

Rashani synon ta ndihmojë Kosovën në çdo formë. Nuk i ka humbur shpresat për kualifikim në “Euro 2024”, pas dy barazimeve, kundër Izraelit dhe Andorrës.

“Pas rezultatit ndaj Andorrës, fatkeqësisht e kemi nisur keq kualifikimin. Është ende herët, kështu që sigurisht ka shpresë. Mendoj se skuadra jonë është mjaft e mirë për t'u kualifikuar, por tani ka të bëjë me marrjen e pikëve që na duhen. Atëherë shpresoj t'i arrijmë qëllimet tona”, ka thënë Rashani.

Kosova është në Grupin I së bashku me Zvicrën, Rumaninë, Izraelin, Andorrën dhe Bjellorusinë. Në qershor do të përballet me Rumaninë dhe Bjellorusinë. Me Rashanin në përbërje, shpresat për sukses do të jenë më të mëdha.