Emir Sahiti e Elvis Letaj kanë arritur sukses të madh të mërkurën mbrëma me Hajdukun e Splitit. Dy kosovarët e kanë fituar Kupën e Kroacisë në futboll me skuadrën shumë të përkrahur nga Spliti. Në finalen në Rijekë, Hajduku fitoi 2:0 ndaj Shibenikut.
Sahiti luajti deri në minutën e 80-të, ndërsa Letaj qëndroi në stol.
Dario Melnjak shënoi për 1:0 në minutën e 62-të, ndërsa kapiteni Marko Livaja shënoi golin e dytë në minutën e 95-t. Livaja shënoi nga pika e bardhë.
Hajduku e ka fituar Kupën e Kroacisë për herë të tetë dhe për herë të dytë rresht. Ka edhe gjashtë tituj të kampionit të Kroacisë. Por për titull po pret që nga viti 2005.