Tribuna kompakte e ndërtuar kohëve të fundit në stadiumin “Brentford Community Stadium” me kapacitet prej 17.250 ulësesh do të shpallë të hapur një tjetër edicion në Premier League, të premten. Në realitet, sezoni 2021/22 do të shënojë kthimin e tifozëve në tribuna për herë të parë pas 17 muajve shkaku i pandemisë së koronavirusit
. Megjithatë, sezoni i ri në Premier League do të fillojë seriozisht vetëm pasi një sagë e transferimit gjatë kësaj vere do të marrë fund. E ky transferim potencialisht mund të jetë përcaktues edhe për titullin e kampionit. Transferimi i sulmuesit Harry Kane nga Tottenhami te Manchester City mbetet në ekuilibër dhe mund të vendoset në ditët e fundit të afatit kalimtar, i cili mbyllet më 31 gusht.
Nëse kampioni në fuqi, Manchester City, që është i mbushur me yje, do ta sigurojë transferimin e Kanet për gati 200 milionë euro, atëherë gara për titull mund të quhet e përfunduar pa nisur mirë edicioni. Mbi të gjitha City, që e fitoi titullin e kampionit sezonin e shkuar me 12 pikë më shumë se skuadra përcjellëse, tashmë e ka blerë mesfushorin Jack Grealish. Ky i fundit iu bashkua Cityt nga Aston Villa për një tarifë rekorde britanike prej 120 milionë eurosh. E në xhiron e parë të sezonit të ri do të përballen pikërisht Tottenhami me Cityn, të dielën. Mirëpo ndeshja hapëse do të jetë ajo ndërmjet Brentfordit, ekip që për herë të parë po luan në elitë pas 74 vjetësh kundër Arsenalit. Kane te skuadra e Cityt po shihet si përforcim i duhur pas largimit të Sergio Agueros. Sezonin e shkuar Kane shënoi 33 gola dhe asistoi 17 herë për Tottenhamin.
“Ne jemi të interesuar në Kanen, por nëse Tottenhami nuk dëshiron të negociojë, atëherë nuk kam çka të flas më shumë. Nëse Tottenhami është i gatshëm për të negociuar, ne do të tentojmë ta transferojmë atë. Gjithçka varet nga Tottenhami”, pranoi trajneri i Cityt, Pep Guardiola, ditë më parë kur u pyet në lidhje me transferimin e Kanet.
Deri më tani Tottenhami ka rezistuar. Kane ka kohë që e ka shprehur dëshirën t’i bashkohet Cityt për të punuar me Guardiolan. Madje javën e shkuar Kane nuk u paraqit në stërvitje te Tottenhami duke zemëruar tifozët e klubit. Ai i është bashkuar klubit të shtunën e shkuar, ndërsa deri të enjten do të jetë në karantinë dhe do të stërvitet i vetëm. Trajneri i Tottenhamit, Nuno Espirito Santo, ka paralajmëruar se Kane do të jetë i gatshëm për duelin e parë ndaj Cityt. Mbetet të shihet nëse Kane do të luajë ndaj Cityt dhe a do të jetë kjo ndeshja e fundit me fanellën e Tottenhamit. Ai ka shënuar 166 gola në 245 paraqitje për Tottenhamin, ndërsa në vitin 2018 firmosi kontratë të re gjashtëvjeçare. E krahas Tottenhamit edhe Chelsea, Manchester Unitedi e Liverpooli do të shpresojnë që Kane do t’i bashkohet Cityt. Këto skuadra pritet ta sfidojnë Cityn që synon titullin e katërt në gjashtë vjet nën drejtimin e Guardiolas, ndërsa të gjashtin në 11 sezonet e fundit.
“Kemi ekip të mirë dhe nuk e di se kush në fund do të shpallet kampion. Mirëpo e di që ne jemi në garë për titull dhe nuk do të dorëzohemi deri në fund, pasi kemi ambicie të mëdha”, ka thënë trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp.
Chelsea, kampioni evropian pas fitores ndaj City në finalen e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, do të jetë shumë më ekip i fortë me ardhjen e pritshme të sulmuesit Romelu Lukaku për 115 milionë euro. Unitedi ka blerë mesfushorin Jadon Sancho, si dhe qendërmbrojtësin Raphael Varane, duke shpenzuar rreth 130 milionë euro. Liverpooli, kampioni i sezonit 2019/20, ka një mbrojtës Virgil van Dijk, që do të jetë i gatshëm pas rikuperimit nga lëndimi. Kufijtë e kapaciteteve të stadiumeve, të zbatuar sezonin e kaluar dhe në fund të sezonit 2019/20 në mes të pandemisë u hoqën nga Qeveria britanike më 19 korrik. Stadiumet pa spektatorë do të zëvendësohen nga turmat me kapacitet të plotë, me tifozët që me padurim po e presin kthimin. Mirëpo ata për t’u futur në stadium duhet të dëshmojnë se janë plotësisht të vaksinuar ose kanë testin negativ për koronavirus. Ajo që nuk do të ndryshojë është pamja e lojtarëve që gjunjëzohen para ndeshjeve si një protestë kundër diskriminimit dhe padrejtësisë racore. Të 20 kapitenët e klubit janë angazhuar njëzëri që ekipet e tyre të vazhdojnë të kryejnë gjestin, i cili u tall nga disa tifozë në “Euro 2020”. Katër skuadra do të kenë trajnerë të rinj këtë sezon. Rafael Benitez është punësuar nga Evertoni, ndërsa Nuno Espirito Santo do të jetë në krye të Tottenhamit.
Ish-ylli i Arsenalit dhe Francës, Patrick Vieira, do të udhëheqë Crystal Palace, ndërsa Bruno Lage ka zëvendësuar Nunon te Wolverhamptoni. Ndërsa Brentfordi do të jetë një ekip i panjohur për tifozët e Premier Leagues, Norwichi dhe Watfordi janë kthyer pas një viti.