Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sadio Mane: Nga fëmijëria rebele, në superyll të futbollit

Futbollisti i Liverpoolit, Sadio Mane, është një nga sulmuesit më të rrezikshëm në botë dhe njëherësh ylli kryesor i Përfaqësueses së Senegalit që do të paraqitet në Kupën e Afrikës muajin tjetër. Një komponent thelbësor në ngritjen meteorike të Manes ishte Generation Foot, një klub senegalez që ka qenë vendimtar për ta shndërruar Senegalin në fuqi të futbollit afrikan. Mane u bë lojtari i parë senegalez që fitoi titullin e kampionit në Premier League me triumfin e Liverpoolit në edicionin 2019/20.

Ai gjithashtu u bë senegalezi i parë që shënoi gol në një finale të Ligës së Kampionëve vitin e shkuar dhe i pari që ka realizuar m bi 100 gola në Premier League. Mirëpo, a mund të bëhet lojtari i parë i Senegalit që e ngre trofeun e Kupës së Afrikës? Senegali ndeshjen e parë në këtë turne e luan ndaj Zimbabves më 10 janar dhe të gjitha shpresat për sukses të ekipit senegalez janë të kthyer te Mane. Mane është kapiten i Senegalit dhe para se të bëjë një karrierë të shkëlqyer si futbollist, ai ka pasur një fëmijëri të vështirë. Gjatë fëmijërisë së tij në Senegalin jugor rural, 29-vjeçari Mane zhvilloi shpejt një pasion për futbollin. Por babai i tij, një imam vendas, e ndaloi të luante. I riu Mane iku në kryeqytetin Dakar për të provuar fatin e tij - një përpjekje e dështuar që përfundoi me një pakt midis tij dhe nënës së tij: që ai të mund të luante futboll për sa kohë të vazhdonte studimet dhe të mbetej një mysliman i mirë. Në moshën 15-vjeçare, futbollisti i ri u largua sërish nga shtëpia – këtë herë me bekimin e familjes. Një zbulues talentesh e pa atë duke luajtur në një turne lokal futbolli në M'Bour, 80 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit - dhe skauti siguroi që Mane të bënte prova në kryeqytet.

“Ne po organizonim teste në Dakar dhe kolegu im në M’Bour kishte rikthyer katër lojtarët e tij më të mirë; Sadio Mane ishte një prej tyre”, tha Jules Boucher, në atë kohë një rekrutues për klubin senegalez Generation Foot. “Kam ngritur dy ekipe për një ndeshje dhe e kam bërë Manen numrin 10; pas pesëmbëdhjetë minutash ishte ai që më bëri përshtypjen më të madhe. E ndërpreva lojën. I thashë kolegut tim: Nëse ky fëmijë stërvitet mirë, ai do të bëhet një lojtar i madh”.

Të gjitha cilësitë që tifozët e futbollit i shohin te Mane sot, ishin të pranishme në atë kohë: veçanërisht shpejtësia e tij dhe aftësia për të depërtuar. Ishte Boucher ai që e vendosi Manen në krahun e majtë të sulmit - një pozicion që ai ende luan te Liverpooli nën urdhrat e Juergen Kloppit.

Prej Metzit te Liverpooli

Edhe Senegali pranon se Mane mund të mos luajë, Bayerni shqetësohet Sport Senegali pranon se Mane mund të mos luajë, Bayerni shqetësohet

Generation Foot ka luajtur një rol thelbësor në kultivimin e talenteve të rinj senegalez përgjatë viteve. Kjo u krijua në vitin 2000 nga Mady Toure, i cili u bë një agjent i specializuar për lojtarët e rinj afrikanë pas një karriere si lojtar që e ndërpreu shkaku i lëndimeve. Suksesi i parë i madh i Toures ishte kultivimi i sulmuesit nga Togo, Emmanuel Adebayor, i cili u transferua te Metzi në Ligue 1 në vitin 2001 për dy vjet, përpara se të bashkohej me Monacon dhe më pas tërhiqte vëmendjen e tifozëve të futbollit në mbarë botën me paraqitjet e tij në Arsenal, Manchester City dhe Tottenham. Lidhjet e Generation Foot me Metzin vazhduan të ishin formuese në zhvillimin e këtij tubacioni të talenteve nga Senegali. Pasi FIFA vendosi një rregullore që ndalonte transferimin e të miturve, Metz vendosi të “nvestonte në infrastrukturë” dhe të ndërtojë një “qendër të vërtetë stërvitore për t'i mbajtur lojtarët deri në moshën 18 vjeç”, tha presidenti i klubit Bernard Serin. Në të vërtetë, Metz zhvilloi një kompleks të madh për të shërbyer si një akademi trajnimi, duke përfshirë terrene të reja dhe madje edhe një shkollë me konvikt.

Ndërkohë, Generation Foot po ngjitej me shpejtësi në rangun e futbollit senegalez pas një fillimi të ulët në divizionin e tretë – kryesisht falë talentit të tij të ri. Mane i ri ishte i rëndësishëm gjatë qëndrimit të tij të shkurtër atje, pasi Generation Foot fitoi promovimin në divizionin e dytë. Ngjitja e klubit vazhdoi më pas pa të; tani luan në divizionin e parë të Senegalit, të cilin e ka fituar dy herë. Mane krijoi menjëherë një përshtypje pasi u bashkua me Metzin në vitin 2011.

“Potenciali i tij u bë i qartë për ne që në momentin kur ai mbërriti. E mbaj mend në mënyrë të përsosur, ishte një ndeshje kundër Bastias në janar, mënyra se si ai preu mbrojtjen dhe mori një penallti”, kujton Serin. “Ishte e jashtëzakonshme për dikë që sapo kishte bërë fillimin e tij në futbollin profesionist evropian; të gjitha cilësitë ishin aty. Ai luajti për ne vetëm për disa ndeshje, por kjo ishte e mjaftueshme për ta thirrur atë te Senegali”.

Mane mund ta kishte bërë Metzin një fuqi të futbollit francez. Por, mjerisht, klubi ra për herë të parë në historinë e tij atë vit në një kategori më poshtë. Në një pozitë të pasigurt financiare, Metzit iu desh të shiste disa nga talentet më të mira në mënyrë që të qëndronte në këmbë. Në të njëjtin vit, ata shitën edhe Kalidou Koulibaly, tani një qendërmbrojtës i Napolit dhe së bashku me Manen, kryesori i Përfaqësueses së Senegalit.

“Është një burim keqardhjeje që na u desh t'i linim të dy të largoheshin kaq shpejt. Ata mund t'i kishin bërë vërtet të lumtur fansat për disa vjet nëse do të kishim mundur t'i mbanim”, pranoi Serin.

Skuadra austriake RB Salzburg e transferoi Manen për katër milionë euro në ditën e fundit të afatit kalimtar. Ai vazhdoi ngjitjen e tij të jashtëzakonshme atje duke shënuar 45 gola në 87 ndeshje. Mane e përfundoi sezonin 2013/14 si golashënuesi më i mirë i klubit, me 15 gola në të gjitha garat. Mane fitoi vëmendjen e tifozëve të futbollit anembanë globit kur iu bashkua Premier Leagues së Anglisë duke nënshkruar për Southamptonin në vitin 2014. Ky klub ishte vendosur si një forcë gjithnjë e më e fuqishme në futbollin anglez; një rezervuar talentesh për t'u rrëmbyer nga klubet elitare për çmime të larta. Teksa Mane shënoi 21 gola në 67 paraqitje për Southamptonin, ai tërhoqi vëmendjen e trajnerit të Liverpoolit, Juergen Klopp. I vendosur për ta bërë këtë klub historik në forcën dominuese të futbollit të Anglisë edhe një herë, Klopp grumbulloi 36 milionë euro për Manen në afatin kalimtar të verës së vitit 2016. Së shpejti medaljet filluan të vijnë, pasi Liverpooli fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2019 dhe titullin e lakmuar prej kohësh në Premier League vitin e ardhshëm.

Krenaria e Senegalit

Paraqitjet e Manes për Senegalin nuk rrëshqitën ndërsa te Liverpooli lulëzoi - pasi ekipi i tij kombëtar arriti në finalen e Kupës së Afrikës në vitin 2019. Senegali humbi ndaj Algjerisë, por Mane mund ta ngushëllonte veten me tre gola dhe një asistim në gjashtë ndeshje – për të mos përmendur kurorëzimin e futbollistit më të mirë afrikan të vitit 2019, përpara shokut të tij te Liverpooli, Mohamed Salah. Megjithatë, Mane nuk e ka fshehur dëshirën e tij për të ngritur trofeun e Kupës së Afrikës për Senegalin. Mane ka treguar gjithmonë krenari për rrënjët e tij senegaleze – siç tregohet nga pagesa e tij për vazhdimin e shkollës së tij të mëparshme të mesme, dërgimin e 300 fanellave të Liverpoolit në qytetin e tij pas humbjes në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2018 ndaj Real Madridit dhe udhëtimet e rregullta për të vizituar Generation Foot, ku një nga ndërtesat e lojtarëve që strehon mban emrin e tij. Partneriteti midis Generation Foot dhe Metzit të Francës vazhdon ende të lulëzojë – pasi së fundmi ka kultivuar talente si Ismaila Sarr (Ëatford) dhe Pape Matar Sarr (Tottenham). Pavarësisht, shfaqjes së talenteve të tjera senegaleze dhe partneritetit të Olympique Marseillet me klubet Dakar Sacre-Coeur dhe Diambars, Generation Foot mbetet një hap përpara.

Edhe Grupi A: Senegali me Manen në përbërje, ka shpresa të mëdha Sport Grupi A: Senegali me Manen në përbërje, ka shpresa të mëdha

“Partneriteti midis Generation Foot dhe Metzit lehtësoi një përmirësim në cilësinë e futbollit senegalez”, insistoi Salif Diallo, kreu i sporteve në agjencinë e shtypit të Senegalit. “Generation Foot është shtylla kurrizore e ekipeve senegaleze - dhe kjo është e vërtetë edhe për brezin e ardhshëm”.

Nëse Senegali mund të realizojë ëndrrën e tij dhe të ngrejë trofeun e Kupës së Afrikës që nis muajin tjetër në Kamerun, Generation Foot do të jetë në gjendje të marrë shumë nga meritat e këtij suksesi të madh.