Boksierja Donjeta Sadiku shpreson të fitojë medalje në kampionatin evropian që mbahet në Sofje të Bullgarisë.
Evropiani në Bullgari do të nisë të martën (sot) dhe do të përfundojë më 12 qershor.
Për boksieren më të mirë të Kosovës, ky është evropiani i parë që do të marrë pjesë si seniore.
Sadiku që garon në kategorinë 60 kilogramë, nga 21 maji është në kampin përgatitor në Sofje. “Trajneri Besim Brahimi është i kënaqur me formën e Donjeta Sadikut. Brahimi shpreson se Donjeta do të stoliset me medalje nga ky kampionat evropian. Për Donjetën është viti i parë në konkurrencën e sendoreve”, njoftoi të hënën Federata e Boksit e Kosovës (FBOXK).
Sadiku deri në vitin e kaluar ka marrë pjesë në kategori të reja dhe në vitin 2015 ka dalë nënkampione e botës.
Ajo për të reja ka dalë edhe kampione e Evropës në vitin 2016, kurse vitin e kaluar zuri vendin e dytë.
“Këtë vit presim të vazhdojë me suksese edhe në kategorinë e senioreve dhe të stoliset me medalje evropiane. Do të jetë konkurrencë e fortë, sepse do të marrin pjesë një numër i madh i boksiereve, pasi pikët që do t'i fitojnë kanë vlerë për normë olimpike për 'Tokio 2020'”, thuhet tutje në njoftimin e FBOXK-së.