Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rrugëtimi i vështirë i portierit Mendy deri te Chelsea

Udhëtimi i portierit të ri të Chelseat, Edouard Mendy, deri në krye të futbollit evropian nuk ka qenë aspak i lehtë - me një karrierë që ka sjellë rënie të njëpasnjëshme, disa muaj papunësi dhe dëmtime.

28-vjeçari, i cili lindi në qytetin francez të Le Havre, filloi karrierën e tij në nivelin e tretë të Francës, saktësisht tek ekipi Cherbourg në vitin 2011. Kjo lëvizje do të dëshmohej të ishte e para prej shumë provave që do të sfidonin vendosmërinë dhe besimin në vetvete të Mendyt. Ai u bashkua me ekipin si portieri i tretë, por Mendy shfrytëzoi rastet që iu ofruan, ndërsa ngadalë u ngjit në zgjedhjen e parë, transmeton KOHA shkrimin e BBC.

“Sa herë që ai thirrej për të zëvendësuar numrin një në portë, Edouardi, përgjigjej mirë në fushë”, tha Ted Lavie, ish-shoku i tij i ekipit gjatë edicionit 2012/13. “Ai madje do të bashkohej edhe me ekipin e dytë nëse ishte e nevojshme. Unë dhe disa lojtarë të tjerë jemi dëshmitarë se sa shumë luftoi Edouardi për t’u bërë portieri i parë. Ai ishte më i miri në mesin e portierëve tanë dhe ai ishte gjithmonë i përfshirë në ekip, madje edhe si një djalë i stolit rezervist”, tha ai.

Fatkeqësisht, sezoni i tretë i Mendyt me Cherbourgun përfundoi me rënien e klubit në një kategori më poshtë. Përfitimi i vetëm ishte se atij iu ofrua një vend titullari pasi klubi luante në nivelin e katërt francez. Gjërat nuk shkuan siç duhej pasi klubi përfundoi edhe në një nivel më poshtë, duke mos arritur të mbijetojë në kategorinë e katërt - duke shkaktuar periudhën më të vështirë të jetës së Mendyt deri më tani.

“Ishte shumë vështirë dhe nuk kam dëshirë ta kujtoj atë periudhë të vështirë”, pranoi Mendy. “Nuk dija se çfarë të bëja dhe nuk isha i sigurt nëse do të arrij diçka në karrierën time, sepse ndodhën gjërat shumë shpejt, të cilat ishin totalisht të papritura”.

Premtimet boshe dhe papunësia

Edhe Mendy lë Chelsean për Al-Ahlin Sport Mendy lë Chelsean për Al-Ahlin

Në moshën 22-vjeçare, kontrata e tij me Cherbourgun kishte marrë fund. Ai priti me durim që një agjent të përmbushte premtimin e tij për të ndihmuar Mendyn të transferohej në një klub të League One (kategorisë së tretë) të Anglisë.

Mendy madje refuzoi ofertat nga klubet e ligave më të ulëta në Francë, ndërsa priste një telefonatë nga agjenti që nuk erdhi kurrë. Në vend të kësaj, Mendy u kthye në shtëpi në Le Havre pa punë. Ishte kjo një periudhë tjetër e vështirë për portierin që kishte ëndrra të mëdha në karrierë. Megjithatë, edhe pse nuk ishte askund i angazhuar, Mendy në shtëpi mundohej të mbante formën me shpresën se një ditë do të vijë një rast.