Sport

Rrugëtimi i hershëm i Kosovës për Eurobasket 2025 nis ndaj Përfaqësueses që mungoi mbi 20 vjet në kualifikime

Federata e Basketbollit e Kosovës ishte angazhuar për kohë të gjatë që të fitonte të drejtën të paraqitej në gara ndërkombëtare. Të drejtën e fitoi në vitin 2015, ndërsa më 31 gusht të vitit 2016, Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e luajti ndeshjen e parë kualifikuese për Eurobasket.

Rezultatet e deritashme nuk kanë qenë ato që tifozët i kanë dashur dhe Kosova javën e ardhshme e nis një rrugëtim të hershëm për Eurobasket 2025. Kosova paraqitet në raundin e parë të parakualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2025.

Ndeshjen e parë Kosova e luan të enjten e ardhshme. Në qytetin Bergen do të përballet me Norvegjinë.

Për dallim nga Kosova, Norvegjia e ka pasur shumë më herët të drejtën për të garuar në kompeticione evropiane. Por të drejtën për të garuar në kualifikimet për Eurobasket nuk e ka shfrytëzuar për më shumë se 20 vjet. Pra, me ndeshjen ndaj Kosovës, Norvegjia kthehet në skenën evropiane, përkatësisht në kualifikimet për Eurobasket.

Kjo situatë e bën Kosovën favorite ndaj Norvegjisë. Federata e Basketbollit e Kosovës ka ftuar shqiptarët në Skandinavi që ta përkrahin Kosovën në ndeshjen në Bergen. Në shitje kanë dalë 1200 bileta.

Është kjo ndeshja e parë mes Norvegjisë dhe Kosovës.

Mathias Eckhoff dhe Audun Eskland janë trajnerët e Norvegjisë. Për ndeshjen ndaj Kosovës ata kanë ftuar 15 lojtarë. Nuk është llogaritur në lojtarët që bëjnë karrierë në kolegjet e SHBA-së. Prej të ftuarve, dhjetë lojtarë janë të klubeve norvegjeze e pesë të klubeve nga vende të tjera evropiane. Nuk ka ndonjë lojtar të njohur në ekipin norvegjez.

“Kemi disa stërvitje së bashku, do të mundohemi të ushtrojmë një stil të lojës dhe të bashkojmë në ekip lojtarë që janë pjesë e sistemit tonë. Ne besojmë se ekipi i Norvegjisë duhet të fitojë këtë, jo lojtarët individualë”, ka thënë Eckhoff për sajtin zyrtar të Federatës së Basketbollit të Norvegjisë.

“Nuk është e domosdoshme të mblidhen gjithnjë lojtarët më të mirë, por lojtarët që kanë shfaqur interesim gjatë tërë kohës dhe kanë qenë të pranishëm dhe kanë jetuar me këtë. Ata që e kuptojnë rolin dhe që pajtohen të luajnë më pak”.

Tre lojtarë të Norvegjisë bëjnë karrierë në Spanjë. Një është në Francë e një në Islandë. Të tjerët janë në Norvegji, gjysma te skuadra Gimle.

Ndërkohë Kosova bazohet në lojtarët e kampionatit vendor. Aktualisht nuk ka ndonjë lojtar të Kosovës në nivel të lartë evropian. Lis Shoshi luan në Izrael, por nuk është ftuar.

Danimarka llogaritet favorite e grupit ku bën pjesë Kosova, grupi C. Të paktën në bazë të ranglistës. Më pas vjen Kosova e në fund Norvegjia. Fituesi i grupit avancon në rundin e dytë të parakualifikimeve dhe po ashtu përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë nga tri grupet.

Dështimi në disa cikle kualifikuese e ka sjellë Kosovën në rundin e parë të fazës parakualifikuese për Eurobasket 2023.

Te Norvegjia do të luajnë për fitore, ndonëse kanë munguar gjatë në kualifikime.

“Ne gjithnjë luajmë për fitore. Por mbetet të shihet si do të jetë në parket. Është vështirë të dihet pasi nuk kemi luajtur ende asnjë ndeshje dhe nuk e dimë gjendjen e kundërshtarit”, thotë trajneri norvegjez Eckhof. Mungesa prej dy dekadash në kualifikimet evropiane natyrisht se paraqet pengesë.

“Është shumë me rëndësi të fillojmë sërish. Më pas kemi një pamje se ku gjendemi dhe çka duhet të punojmë. Është naive të mendohet që do të dalim dhe do të dominojmë”, thotë Mathias Eckhoff.

Më 28 nëntor Kosova e pret Danimarkën në Prishtinë. Ndeshjen tjetër me Norvegjinë Kosova e luan në muajin shkurt, ndërsa më 30 qershor e përmbyll këtë fazë me ndeshjen në udhëtim ndaj Danimarkës. Natyrisht, me shpresë për ndeshje të tjera të vlefshme për kualifikim në Eurobasket 2025.

Qiproja, Austria, Zvicra, Irlanda në grupin A dhe Shqipëria, Luksemburgu e Rumania në grupin B, janë përfaqësueset e tjera që paraqiten në rundin e parë të parakualifikimeve për Eurobasket 2025. Është faza më e hershme e mundshme e kualifikimeve.

Marrë për bazë interesimin për basketbollin që ekziston në vend, kalimi i kësaj faze do të mund të ishte vetëm një synim fillestar i Përfaqësueses dhe i FBK-së.