Për dy ngjarjet e mëdha që mbahen në dy vjetët e ardhshëm, Kosova e ka përfunduar garimin. Tani te përfaqësuesja e Kosovës në basketboll duhet të mendojnë për një ngjarje që mbahet pas plot katër vjetësh në vitin 2025.
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të shtunën mbrëma pësoi nga Sllovakia në Prishtinë. Disfata i kushtoi Kosovës me eliminim që në rundin e parë të parakualifikimeve për Botërorin 2023. Pra, Kosova nuk vazhdon më kualifikimet për ngjarjet që mbahet pas dy vjetësh. Më parë kishte dështuar në raundin e dytë e po ashtu në raundin e tretë të parakualifikimeve për “Eurbasket 2022”. Nuk ia ka dalë të kalojë në kualifikimet e rregullta, ku ishte më parë.
Kosova po ashtu kishte kaluar me sukses parakualifikimet për Botërorin 2019, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut, përfaqësuese dukshëm më e madhe se për shembull Luksemburgu, prej së cilës përfaqësuese humbi po ashtu këtë javë.
Por te përfaqësuesja e Kosovës në basketboll nuk e vlerësojnë hap prapa ndaljen në rundin e parë të parakualifikimeve evropiane për Botërorin 2023. Kosova mbeti e fundit në grupin B, pas Islandës, Sllovakisë e Luksemburgut. Në raundin e dytë të parakualifikimeve avancuan Islanda dhe Sllovakia. Prej grupit A avancuan Portugalia e Bjellorusia. Shqipëria ishte e fundit në grup.
Se Kosova nuk është në momentin e duhur u dëshmua që të enjten kur “dardanët” humbën me 10 pikë dallim nga Luksemburgu. Pasi të shtunën Islanda e vendosi në situatë të favorshme Kosovën, duke e mposhtur Luksemburgun, basketbollistët kosovarë nuk kryen punën e tyre. Me fitore ndaj Sllovakisë, Kosova do të avanconte tutje. Por ndeshja u përmbyll 77:73 në të mirë të Sllovakisë që avancoi tutje.
Tani Kosova në nëntor të këtij viti nis parakualifikimet e hershme për Eurobasket 2025.
Ndaj Sllovakisë, Kosova udhëhoqi për kohë të gjatë, por në fund pati gjuajtje rresht të humbura dhe lëshime tjera, që kushtuan.
“Loja me Sllovakinë kishte rëndësi të madhe. Nëse do të fitonim, do të avanconim tutje. Përkundër humbjes e cila ishte shumë e dhimbshme dhe të cilën mendoj se nuk e merituam, mund të them se lojtarët nuk e kursyen veten aspak. Ata dhanë krejt çka patën për të dhënë, por për fat të keq nuk arritëm të fitojmë”, ka thënë të dielën Granit Rugova, drejtor i përfaqësueses së Kosovës.
“Pak edhe fati nuk ishte në anën tonë. Në minutat e fundit nuk arritëm të shënonim edhe një treshe që pa dyshim do të ndërronte lojën dhe do të arrinim edhe të fitonim. I njëjti angazhim nuk ishte edhe në ndeshjen me Luksemburgun, edhe pse fitorja ndaj tij nuk do të kishte rëndësi në kualifikime. Por për ne si Kosovë çdo fitore është e rëndësishme”, ka thënë ish-basketbollisti.
Në basketbollin kosovar është investuar shumë në dy dekadat e fundit. Po ashtu basketbolli vazhdon të jetë shumë i popullarizuar në vend. Superliga është bërë dramatike me skuadrat me plot lojtarë të huaj. Klubet megjithatë po kanë telashe për të “prodhuar” basketbollistë të rinj, konkurrentë për përfaqësuese. Kjo mund të sjellë vështirësi të tjera në të ardhmen. Mund të paraqiten sfida për të zëvendësuar gardën aktuale, ndonëse në FBK po angazhohen për këtë.
Në ciklin e kaluar për Botëror, Kosova kishte kaluar parakualifikimet. Këtë herë jo.
“Nuk është hap prapa”, insiston Granit Rugova. “Ne jemi duke punuar pa ndalë për të ecur përpara. Një humbje e tillë nuk do të na ndalë por do të na shtyjë të punojmë edhe më shumë. Në lojërat e ardhshme, që do të jenë në nëntor, do të jemi më të përgatitur dhe më të kompletuar. Me ne do të jenë edhe Lis Shoshi e Gëzim Morina”, ka shtuar Rugova.
Është i vogël numri i lojtarëve në të cilët llogarit Kosova. Shoshi e Morina aktualisht janë të vetmit që janë jashtë ekipit dhe që mund të bëjnë konkurrencë për lojtarët aktual. Aktualisht nuk ka ndonjë lojtar cilësor nga Kosova në ligat evropiane. Ndërkohë, llogaritet në disa të rinj që po zhvillohen nëpër Evropë, me shpresë se ata do të arrijnë në nivel më të lartë.
Rugova ka paralajmëruar edhe ndryshime në formacion. Nuk pritet të preket përzgjedhësi Christos Marmarinos. Marmarinos pas ndeshjes me Luksemburgun kishte akuzuar lojtarët për mungesë angazhimi dhe motivimi për të prezantuar shtetin. Për ndeshjen ndaj Sllovakisë motivi ishte më i lartë, por që nuk mjaftoi.
“Do të ketë edhe ndryshime. Por, këto do të vijnë pas analizave që do t’i bëjmë në ditët në vazhdim. E kam fjalën për fondin e lojtarëve”, ka theksuar Rugova.
Kosova ndeshjet e nëntorit do t’i ketë me kundërshtarë të nivelit të përafërt, pra më të dobëtit sa u takon garave kontinentale.
“Verës pritet shorti për parakualifikimet për Eurobasket 2025. Unë përgëzoj stafin e FBK-së për organizimin profesional të këtyre ndeshjeve”, ka theksuar Rugova.