Gjithsej 831 lojtarë ia dolën që të bëhen pjesë e Kupës së Botës në Katar. Por pak prej tyre është dashur të luftojnë për vend në Botëror si Kieffer Moore.
Sulmuesi i Uellsit, që pritet ta udhëheqë ekipin e tij në sulm ndaj SHBA-së të hënën, ka luajtur për hiç më pak se 12 klube gjatë karrierës dhjetëvjeçare. Ai ka nisur në nivelet e ulëta të Anglisë dhe përmes Norvegjisë ka hapur rrugën për në Premier League.
Rruga e Moore-s dallon shumë me atë që kishin yjet e Uellsit si Gareth Bale e Aaron Ramsey, por ai është krenar për udhën e bërë.
“Kam bërë ngadalë rrugën para. Ngadalë kam bërë edhe rrugën prapa dhe sërish ngadalë jam kthyer lartë edhe njëherë”, ka thënë Moore që tani luan në Premier League me Bournemouthin.
“Kam kaluar shumë kohë në liga të ulëta. Rruga ime dallon shumë nga rruga e shumë lojtarëve. Ishte xhiro e veçantë”, ka shtuar Moore, shkruan sajti zyrtar i FIFA-s.
Edhe
Anglia e motivuar për ndeshjen me Uellsin
Moore është prej lojtarëve më të gjatë në Botëror. Ai ka nisur karrierën në vitin 2012 te skuadra gjysmëprofesionale, Truro City, në nivelin e gjashtë anglez. Ndonëse 20-vjeçar dhe në një ligë shumë fizike, ai shënoi 13 gola në 22 ndeshje.
“Ishte shembull. Ishte i gatshëm, punonte në një palestër atëbotë dhe ishte në formë të pabesueshme”, ka thënë bashkëlojtari i atëhershëm i Moore, Stewart Yetton. “Është e lehtë të ngacmohesh në atë nivel, por ai ishte fizikisht dominues. Ai ulte kokën, dëgjonte dhe punonte shumë. Në futboll të duhet fati, por nuk jam i befasuar se ku ka arritur tani. Ai ishte pak më ndryshe se ne të tjerët”.
Paraqitja e Moore për Truro dhe më pas për Dorchaster Town i mundësuan atij që të kapërcej katër divizione në piramidën e futbollit. Nënshkroi me Yeovil Town në Championship (kategoria e dytë angleze) në vitin 2014. Por e larguan nga skuadra në vitin 2015. Fatin e kërkoi me Vikingun në Norvegji. Stinori atje ishte dëshpërim dhe Moore u kthye në nivelin amator anglez.
“Para kthimit kam menduar: ‘Nuk e di vërtet se ku mund të shkoj prej këtu’. E kam ditur se duhet të shkoj në një ekip ku do të shkëlqeja”, ka thënë Moore, tani 30-vjeçar.
Vazhdoi karrierën në skuadra të ndryshme, ndërsa vetëm në edicionin 2018/19 nisi me ecjen e duhur parë. Shënoi 17 gola në kategorinë e tretë angleze për Barnsleyn. Më pas kaloi te Wigani në Championship dhe po ashtu u ftua nga Uellsi, për të cilin mund të luante për shkak të prejardhjes së gjyshit të tij.
Ftesa nga Uellsi solli krenari për familjen e lojtarit, por edhe stres të madh ndërsa familjarët bënin përpjekje për të gjetur certifikatën e lindjes së gjyshit të Moore.
Angazhimi ia vlejti pasi Moore shënoi gola të rëndësishëm në kualifikimet për Euro 2020, ndaj Azerbajxhanit dhe Sllovakisë. Ai shënoi edhe në Evropian ndaj Zvicrës, në barazimin 1:1.
Moore ishte i njohur për golat vendimtar edhe në nivel klubesh. Me golin e tij Bournemouthi siguroi promovimin në Premier League në maj. Kjo ndodhi vetëm katër muaj pasi sulmuesi iu bashkua ekipit nga Cardiff City. Në Premier League ka shënuar katër gola këtë edicion, tre prej tyre me kokë. Prania fizike e tij ka qenë vështirë e përballueshme edhe për lojtarët me përvojë në kampionatin anglez. Por ka shumë më tepër se forcë e gjatësi që ofron ky sulmues.
Edhe
Lojtarët me shtetësi të dyfishtë përballen me vendim të vështirë
Moore nuk e ka problem që ta pres rastin. Ai debutoi në përfaqësuese në moshën 27-vjeçare. Ndeshjen e parë në Premier League, të cilën e përfundoi me gol, e kishte dy ditë para se të mbushte 30-vjet.
“Gjithnjë kam pasur besim në vete se do të arrij ku jam sot. Gjëja kryesore është të besosh në atë që bën. Për mua kishte të bënte me etikën e punës. Nëse keni etikën e duhur të punës dhe e dini se ku doni të arrini, atëherë është e mundur. Duhet të jepni çdo gjë për atë që dëshironi dhe të përgatiteni që të mos pranoni ‘jo’ si përgjigje”, ka thënë Moore.