Kur Emiliano Martinez iu bashkua Aston Villas nga Arsenali në shtator të vitit 2020, ai vendosi një listë objektivash në dollapin e tij. Një prej tyre ishte të bëhej portieri më i mirë në botë.
Në atë kohë kjo mund të dukej si një ambicie jashtëzakonisht e madhe, apo disi e pamundur për dikë që asnjëherë nuk kishte qenë portieri numër një në klubin e tij e lëre më në të gjithë planetin.
Kalimi i Martinezit te skuadra e sapokthyer në Premier League erdhi disa ditë pasi ai mbushi 28 vjet. Dekada e kaluar e kishte parë atë të bënte vetëm 13 paraqitje prej fillimi në Premier League për Arsenalin, që e huazoi gjashtë herë në ligat e ulëta ose jashtë vendit. Megjithatë, vetëm dy vjet e gjysmë më vonë, reprezentuesi karizmatik i Argjentinës së shpejti mund të ketë nevojë për një objektiv të ri në karrierë, ndërsa përgatitet të përballet me ish-klubin e tij këtë fundjavë. I njëjti dollap në kompleksin stërvitor të Villas në “Bodymoor Heath” tani po mbushet me medaljet e fituara nga Kupa e Botës dhe Kupa e Amerikës.
Martinezit iu dha edhe trofeu “Dorëza e Artë” për portierin më të mirë në Botërorin në Katar, ndërsa së fundmi është futur në listën e ngushtë të kandidatëve për portierin më të mirë të FIFA-s për vitin 2022. Ka qenë një udhëtim mjaft i gjatë të cilin Martinez e ndau me trajnerin e tij prej kohësh, Neil Cutler, i cili e bindi atë të transferohej te klubi anglez dhe u bë shoku i tij i ngushtë dhe psikologu jozyrtar.
“Të kalosh nga portieri numër dy në Premier League në fitimin e një Kupe Botërore në një kohë kaq të shkurtër është një rrugë unike, por ka shumë arsye që Emi ka bërë një rritje kaq të shpejtë, duke filluar nga dëshira dhe etika e tij e punës”, tha Cutler. “Vullneti i tij për të bërë gjithçka që duhej për të arritur atje ku donte të arrinte, ishte thjesht masiv dhe pasioni i tij ishte kaq i dukshëm. Prandaj u përpoqa kaq shumë që ta çoja në Villa në radhë të parë. Ky është një djalosh problemi më i madh i të cilit ishte se ndonjëherë bënte shumë punë, pjesërisht për shkak të mungesës së përvojës. Një herë ai mori një dëmtim sepse praktikonte të priste shumë penallti”.
Cutler u largua nga Aston Villa në fund të tetorit, kur u emërua trajner Unai Emery, që solli me vete stafin stërvitor, duke përfshirë specialistin e portierëve Javi Garcia. Garcia gjithashtu punoi me Martinezin në Arsenal.
Por dyshja mbeti e afërt, me Martinezin që reagoi ndaj largimit të Cutlerit me një mesazh emocionues në mediat sociale, ku e përshkroi atë si “trajnerin më të mirë anglez”. Madje, Martinez ka telefonuar Cutlerin nga stadiumi “Lusail” menjëherë pas triumfit në Kupën e Botës.
“Gjëja e parë që ndjeva për Emin pas finales ishte lehtësimi. Isha jashtëzakonisht krenar sepse e dija se ai ia kishte kushtuar gjithë jetën atij momenti. Për të bërë punën time më duhej të zbuloja se çfarë e bën Emin të lulëzojë, kështu që kjo do të thoshte të dija gjithçka për stilin e tij të jetesës larg futbollit”, tha Cutler. “Njerëzit e kritikuan atë për veprimet gjatë penalltive kundër Francës dhe më pas kur festoi me trofeun e portierit më të mirë të turneut, por unë e njoh ndryshe. Ai është shtyrë në një nivel të jashtëzakonshëm, por është gjithashtu me këmbë në tokë”.
Ecuria më e mirë e Martinezit në ekipin e parë të Arsenalit erdhi në fund të sezonit të tij të fundit në “Emirates Stadium”, sezoni i prekur nga koronavirusi, kur zgjedhja e parë Bernd Leno u lëndua. Argjentinasi ishte titullar në 11 ndeshje radhazi në të gjitha garat, duke përfshirë fitoren në finalen e Kupës FA ndaj Chelseat. Por vendosi të largohej në kërkim të minutazhës më të madhe.
“Ne kishim një listë të portierëve dhe unë pata takime të shumta me drejtuesit e Aston Villas. Ata dëshironin portierët e tjerë, por unë insistoja për Martinezin, edhe pse ai kishte më pak ndeshje se të gjithë ata që ishin në listë. Për fat të mirë drejtuesit ishin të hapur ndaj ideve të mia dhe mënyrës se si punoj, kështu që i binda të shpenzonin 20 milionë euro për transferimin e tij”, kujton Cutler. “Unë e bëra prezantimin e tij duke treguar se çfarë do të sillte, përfshirë karakterin e tij. Edhe pse kishte oferta të tjera, Emi më dëgjoj mua dhe u bashkua në klub”.
Martinez pati ndikim të menjëhershëm te Villa, ku në katër prej shtatë ndeshjeve të para nuk pranoi gol dhe mbylli sezonin në Premier League me 15 ndeshje me portë të paprekur. Kjo formë e “alarmoi” Argjentinën, që i dërgoi ftesë menjëherë për ta promovuar si portierin e parë.
“Ai kishte shumë objektiva sapo mbërriti në Villa”, tha Cutler. “Çdo ditë kur ai hapte dollapin e tij, ne shënonim disa. Në vitin e parë, një prej tyre ishte të bëhet numri një për Argjentinën”, zbulon Culter.
Të luajturit në Botërorin “Katari 2022” ishte gjithashtu në listën e Martinezit. Ai luajti rol vendimtar në fitoren e Argjentinës në finale, me një pritje të shkëlqyer ndaj Randal Kolo Muanit në fund të kohës shtesë dhe më pas duke nervozuar me sukses kundërshtarët para gjuajtjes së penalltive. Kjo u konsiderua nga disa si sjellje josportive, por Cutler pranon se ai luajti rol në atë plan loje dhe e sheh atë si më shumë dëshmi se si Martinez ka zhvilluar një mentalitet më të fortë dhe fitues.
“Ishte faji im me të vërtetë, sepse ne punuam për një kohë të gjatë që ai të sillte personalitetin dhe praninë e tij në situata të tilla”, tha Cutler.
Pra, cili është objektivi i radhës? Nuk mund të mbetet shumë nga ajo listë origjinale e pakontrolluar në dollapin e tij, por kjo nuk do të thotë se Martinez ka humbur ndonjë nga përpjekjet e tij për të pasur sukses.