Portieri Emiliano Martinez i ka përshëndetur tifozët me lot në sy pas fitores të premten mbrëma 2:0 ndaj Tottenhamit në Premier League.
Portieri 32-vjeçar u duk i emocionuar pasi skuadra e Aston Villas që është në ndjekje të Ligës së Kampionëve për edicionin tjetër, e fitoi ndeshjen e fundit në shtëpi për këtë sezon.
Martinezi, dy herë fitues i çmimit portieri më i mirë në botë nga FIFA, ka luajtur 211 ndeshje për Villan qëkur u transferua nga Arsenali në vitin 2020.
Përshëndetja e tij ka lënë të kuptohet se fituesi i Botërorit me Argjentinën mund të largohet në verë.
Por, trajneri Unai Emery, ka thënë se ende nuk e di të ardhmen e tij.
“Do të shohim. Natyrisht, ishte ndeshja e fundit këtu në këtë sezon dhe nuk e di. Do të shohim për ekipin dhe lojtarët, por ata po paraqiten mirë në fushë”, ka deklaruar tekniku spanjoll pas ndeshjes.
Për Martinezin janë interesuar disa skuadra arabe.