Sport

Rritja e madhe e Shqipërisë në futboll

Dy lajme të publikuara të martën në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit konfirmojnë rritjen e madhe të futbollit në Shqipëri.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, prej së martës është njëri prej nënpresidentëve të Konfederatës Evropiane të Futbollit (UEFA).

Ndërkohë FSHF-ja, përkatësisht Shqipëria, në vitin 2025 do të organizojë Kampionatin Evropian për futbollistët deri në 17 vjet. Është hera e parë që në Shqipëri organizohet një ngjarje kontinentale për grupmosha të reja.

Ka disa vjet që Duka është prej emrave më të fuqishëm në shtëpinë evropiane të futbollit. Ishte anëtar i Komitetit Ekzekutiv. Me zgjedhjen në pozitën e nënpresidentit të UEFA-s, ndikimi i Dukës pritet të rritet ndjeshëm. Pozita e nënpresidentit të UEFA-s mbeti e lirë kur më 10 shtator dha dorëheqje spanjolli Luis Rubiales.

UEFA i ka gjashtë nënpresidentë, por kjo pozitë është me ndikim të madh në këtë organizatë shumë të fuqishme sportive. Për herë të pare një shqiptar ka pozitë kaq të lartë në UEFA. Vendimi për Dukën u mor në Qipro, ku mbajti mbledhje Komiteti Ekzekutiv të UEFA-s.

“Ndihem i nderuar, i respektuar, jo vetëm unë, por i gjithë futbolli shqiptar për vlerësimin që i bën komuniteti evropian i futbollit një kandidature nga Shqipëria për të qenë zëvendëspresident i UEFA-s. Pa dyshim që është rezultat i kontributit të punës së gjithë futbollistëve, trajnerëve dhe gjithë komunitetit të futbollit shqiptar për të pasur një vend në drejtimin e futbollit evropian. Jam i kënaqur që do të jap kontributin tim në mbarëvajtjen e futbollit evropian, në strategjitë e zhvillimit të tij, pse jo edhe me vendimet e përditshme apo administrative që do të duhet të marrë Komiteti Ekzekutiv I UEFA-s për të mirën e futbollit në përgjithësi”, ka thënë Duka për faqen zyrtare të FSHF-së.

Federata Shqiptare e Futbollit e ka vlerësuar historik vendimin e UEFA-s që në Shqipëri të mbahet “Euro 2025” për grupmoshën U17.

“Është një lajm shumë i mirë për futbollin shqiptar. Mund të them që është lajmi më i mirë në vitet e fundit. Ky është një aktivitet shumë madhor, ku do të marrin pjesë 16 skuadra nga e gjithë Evropa. Mund të them që nga pikëpamja organizative është ngjarje shumë më e madh sesa finalja e Ligës së Konferencës. Por njëjtë është edhe nga pikëpamja e përfaqësimit”, ka theksuar Duka.

Ndeshjet e Evropianit U17 do të luhen në katër stadiume të ndryshme, në Tiranë, Shkodër, Elbasan e Shkodër. Pra Shqipëria i ka katër stadiume të denja për ndeshje evropiane të nivelit serioz.

Kjo dëshmon hapat e mëdhenj para që janë bërë në infrastrukturën e futbollit. Vjet në Tiranë u zhvillua finalja e Ligës së Konferencës. “Air Albania” tashmë është stadium modern dhe prej më të bukurve në regjion.

Duka ka pranuar se duhet shumë punë në infrastrukturë deri në vitin 2025. Por në vitet e fundit gjendja është përmirësuar ndjeshëm.

Vendimi i UEFA-s i së martës e dëshmon këtë. Shqipëria ka mbetur aktualisht pak më prapa sa i takon përfaqësimit me skuadra në kupat evropiane. Kalimi i raundeve të para kualifikuese ka disa vjet që është sfidues. Shumë më e mire është gjendja me ekipet kombëtare.

Kombëtarja A udhëheq në grupin kualifikues për “Euro 2024”. Është në rrugë të mirë që për herë të dytë të paraqitet në Kampionat Evropian. I ka dhjetë pikë nga pesë ndeshje, ndërsa lë prapa Çekinë, Moldavinë, Poloninë dhe Ishujt Faroe.

Më 12 tetor në “Air Albania”, Shqipëria e pret Çekinë në ndeshjen vendimtare. Më 17 nëntor luan në udhëtim me Moldavinë, ndërsa më 20 nëntor e pret përfaqësuesen e Ishujve Faroe. Ka shumë shpresë që ajo ndeshje do të jetë festive për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani.

Kombëtarja U21 së fundi fitoi 3:2 ndaj Rumanisë dhe 2:1 ndaj Armenisë. Synon kualifikimin në Evropianin e vitit 2025.

Sa i takon futbollit të femrave, Shqipëria është në Ligën B të Ligës së Kombeve, që është niveli i dytë i kësaj gare kontinentale. Të premten futbollistet e Shqipërisë luajtën 1:1 me Hungarinë, ndërsa të martën pësuan 1:0 nga Irlanda e Veriut. Vjet, Vllaznia e Shkodrës luajti në fazën grupore të Ligës së Kampionëve. U përball me PSG-në, Real Madridin e Chelsean. Natyrisht, ka shumë gjëra që mund të përmirësohen në FSHF dhe në futbollin e Shqipërisë në përgjithësi. Por rritja e viteve të fundit është evidente.