Njëra prej skitareve më të mira në botë, Lara Gut Behrami, ka pësuar një rënie të rrezikshme të dielën në garën e Kupës Botërore të skijimit alpin në St. Moritz të Zvicrës. Ajo po paraqitej në disiplinën Super-G, kur u rrëzua derisa po lëshohej me shpejtësi të madhe në shtegun e njohur të St. Moritzit.
Gut Behrami të shtunën kishte fituar në shtegun e njëjtë. Derisa po lëshohej të dielën, ishte në epërsi prej gjysmë sekonde ndaj amerikanes Mikaela Shiffrin. Po lëvizte shumë shpejtë kur humbi balancën dhe doli nga shtegu. Nuk e ndali as rrethoja. Rrëzimi është dukur aq keq, sa që shumë persona te finishi kanë qarë. Ata po e shikonin lëshimin e Gut Behramit në ekranin e madh.
Por disa minuta pas rrëzimit, pasi i është ofruar ndihma mjekësore, skitarja zvicerane është lëshuar deri në finish. Është përcjellë me duartrokitje të mëdha të shikuesve.
Nuk është bërë e ditur se sa serioz është lëndimi dhe nëse do të jetë në dyshim paraqitja e saj në Lojëra Olimpike Dimërore, dy muaj më vonë.
Federica Brignone e Italisë doli e para, e përcjellë nga Elena Cutroni e Mikaela Shiffrin. Shiffrin për pak shmangu rënien në vendin ku Gut Behrami doli jashtë shtegut.
Edhe
Lëndohet Gut-Behrami, karriera e saj në dyshim
Gara e së dielës është shtyrë për 40 minuta dhe starti është lëshuar më poshtë për shkak të erërave të forta.
Njëmbëdhjetë prej 56 skitareve që startuan, nuk arritën në cak, duke përfshirë amerikanet Keely Cashman, Bella Wright dhe A.J. Hurt.
Kupa Botërore për skitare vazhdon javën e ardhshme në Val d’Isere të Francës, me disiplinat e lëshimit dhe Super-G.
Lara Gut Behrami është gruaja e futbollistit të njohur kosovar, Valon Behrami. Gut Behrami është prej skitareve më të mira aktualisht.
Incidenti i Lara Gutit, ka kthyer në kujtesë një rrëzim të rrezikshëm të saj në vitin 2017, kur lëndoi ligamentet pikërisht në St. Moritz.
Edhe
Gut-Behrami ka këputur ligamentet por synon të kthehet
Por fakti që Lara ka skijuar vet deri në finish, jep shpresë se do të kalojë lehtë. Koleget e Behramit kanë folur për rrezikshmërinë e madhe në atë pjesë të shtegut. Kanë thënë se nëse merret shpejtësi e madhe, atëherë është thuajse e pamundur të kontrollosh plotësisht lëshimin.
Lara Gut Behrami ka nisur me sukses edicionin e ri të skijimit dhe pritet të jetë prej favoriteve më të mëdha për titujt kryesor në skijim.