Amir Rrahmani ishte pjesë e skuadrës së Napolit që e festoi titullin e tretë në histori të klubit, të parin pas 33 vjetësh. Për këtë, qendërmbrojtësi dhe kapiteni i Kosovës ndihet krenar. Por Rrahmani e di se përgjegjësia tani është edhe më e madhe.
Mbrojtjen e titullit të kampionit të Italisë, Napoli e nis më 19 gusht me ndeshjen në udhëtim te Frosinone. Rrahmani e di mirë se do të jetë shumë e vështirë të përsëritet suksesi i edicionit të kaluar.
Ai ishte në mesin e të dalluarve te skuadra që drejtohej nga Luciano Spalletti. Napoli madje shkoi edhe deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ku u eliminua nga Milani.
Napoli herët i ka nisur përgatitjet me trajnerin e ri, Rudi Garcia, ndërsa Rrahmani të martën iu bashkua skuadrës në “Dimaro Folgarida”.
Të premten, Rrahmani zgjodhi rrjetet sociale për t’iu përgjigjur pyetjeve të tifozëve. Ka treguar shumëçka për karrierën e tij.
Edhe
Rrahmani do të mbetet te Napoli edhe për katër vjet
“Gjithmonë kam qenë qendërmbrojtës, edhe pse krejt në fillim të karrierës kam luajtur edhe si mesfushor defensiv”, ka thënë Rrahmani, i cili mban numrin 13 tash e disa edicione.
“Në fillim e kam mbajtur numrin 18. Më pas numrin 21, kur ndryshova skuadrat dhe në fund vendosa për numrin 13. Shumë njerëz më kanë pyetur se pse zgjodha këtë numër, pasi mund të sjellë fat të keq. Në fakt, më ka sjellë fat të mirë”, ka vazhduar tutje Rrahmani.
Fatin e mirë futbollisti prishtinas e ka lidhur edhe me ecurinë në karrierë.
Pashmangshëm ka përmendur “Scudetton”.
Rrahmani karrierën e nisi te Kosova e Prishtinës. Më pas bëri disa lëvizje. Te Ramiz Sadiku fillimisht, Drenica, Partizani i Tiranës. Nga Shqipëria bëri hapin e madh për në futbollin kroat. Te Spliti fillimisht e më pas te Dinamo e Zagrebit dhe Lokomotiva e Zagrebit. Futbollin kroat e shfrytëzoi si trampolinë për të kaluar në kampionatin italian. U transferua te Hellas Verona e më pas te Napoli. Napolit iu bashkua në vitin 2020.
Edhe
Rrahmani: Shtëpia ime tani është në Napoli
“Kur e mposhtëm Atalantan në shtëpi e kam kuptuar se titullin e kemi të fituar”, ka theksuar Rrahmani.
Rrahmani edicionin e kaluar e mbylli me dy gola të shënuar e një asistim në 36 ndeshje në të gjitha garat. Njëri prej tyre ishte shumë i veçantë.
“Ndeshja më e mirë e sezonit të kaluar, pa dyshim se ishte fitorja 5:1 kundër Juventusit në stadiumin ‘Diego Armando Maradona’”, thotë Rrahmani, që në atë ndeshje shënoi supergol. Ishte goli për 3:1, që thuajse e mbylli ndeshjen.
Rrahmani në karrierën e pasur si futbollist është ballafaquar me kundërshtarë të fortë, si në nivel klubesh ashtu edhe me Përfaqësuesen e Kosovës.
Por një sulmues anglez i ka bërë përshtypje. Atë e vlerëson më së shumti.
Edhe
Napoli duket ndryshe me Rrahmanin në fushë
“Marcus Rashford është kundërshtari më i fortë, me të cilin jam përballur deri tani”, ka theksuar Rrahmani. Kundër Rashfordit kishte luajtur në dy disfatat e Kosovës nga Anglia në kualifikime të “Evropianit 2020”.
Futbollisti shtatlartë së fundmi e vazhdoi kontratën me Napolin. Ka nënshkruar deri në vitin 2027, me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Merr pagë vjetore prej 2.5 milionë eurosh.