Napoli ka fituar 2:0 ndaj Eintracht Frankfurtit në Gjermani. Por kalimi në çerekfinale nuk mund të llogaritet punë e kryer për skuadrën lidere të Serie A. Kështu ka thënë mbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani, të martën në konferencë për shtyp.
Napoli e Eintracht Frankfurti takohen të mërkurën prej orës 21:00 në stadiumin “Diego Maradona” në ndeshjen e kthimit të një të tetës së finales. Napoli është në pozitë të mirë pas fitores më 21 shkurt në Frankfurt, por nuk mund të ndihet i relaksuar.
“Është një lojë e rrezikshme për ne. Frankfurti nuk ka asgjë për të humbur dhe do të shtyjë para deri në fund. Ne duhet të jemi të mirë dhe ta mbyllim ndeshjen sa më shpejt dhe sa më lehtë që të jetë e mundur”, ka thënë Rrahmani në konferencën për shtyp para ndeshjes.
Kapiteni i Kosovës ka luajtur në qendër të mbrojtjes përkrah Kalidou Koulibalyt e tani po luan përkrah Min-Jae Kim të Koresë së Jugut.
“Të dy janë shumë të mirë, lojtarë të fortë. Jam i lumtur që kam luajtur me Kalidoun, por po ashtu me Kimin. Kemi pasur stinor të madh me të parin, por kur ekipi paraqitet mirë është shumë më e lehtë për ne lojtarët. Kim tani ka fat më shumë se Koulibaly”, ka thënë Rrahmani, që po vlerësohet lart te Napoli.
Rrahmani vlerëson ekipin gjerman dhe e di që Frankfurti ka përmbysur rezultatin disa herë.
“E kemi parë që gjermanët ia kanë dalë të kthehen në ndeshjet që ishin duke i humbur, kështu që janë mësuar me këtë. E kemi parë këtë edhe në Ligën e Evropës, ka pasur një edicion shumë të mirë. Mendoj se Frankfurti është shumë, shumë i fortë”, ka theksuar Rrahmani.
Ai ka pranuar se ka më shumë besim këtë edicion, ndërsa meritat për këtë ia ka lënë fitoreve rresht.
“Ndiejmë përgjegjësinë si skuadër. Në ligë kemi shansin të bëjmë histori të klubeve. Edhe në Ligën e Kampionëve e dimë që është e veçantë për lojtarët dhe klubin që të avancojmë. Shpresojmë se do të përfundojë mirë”, ka thënë Rrahmani.
Trajneri i Napolit, Luciano Spalleti, ka thënë se ekipi i tij ka rastin të bëjë histori porse kjo nuk sjell presion shtesë.
“Jam i qetë pasi e di forcën dhe kualitetin e lojtarëve që drejtojë. Ata do të jenë në gjendje të ofrojnë kualitetin e njëjtë që e tregojnë thuajse vazhdimisht. Duhet të jemi të uritur, të mendojmë të avancojmë dhe për asgjë tjetër”, ka theksuar Spalleti.