Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rrahmani flet për forcën e Napolit

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka folur për rezultatet e skuadrës së Napolit në Serie A dhe Ligën e Kampionëve. Ai është i kënaqur me paraqitjet e ekipit. Ai ka insistuar se janë rritur si ekip.

Napoli të martën mbrëma mposhti në Frankfrut skuadrën e Eintrachtit me rezultatin 2:0, në ndeshjen e parë të një të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Në Serie A, Napoli është lider.

“Ka pasur një përmirësim nga gjithë ekipi. Po ecim shumë mirë. Ne e dimë që jemi të fortë. Ne mendojmë të japim gjithçka në garë”, ka folur Rrahmani në zonën miks pas ndeshjes kundër Eintrachit.

Mbrojtësi 28-vjeçar ka thënë se për të kaluar në çerekfinale të Championsit, Napolit i duhet fitore edhe në ndeshjen kthyese. “Çdo gjë mund të ndodhë, por mendoj se Eintrachti do të luajë të njëjtën lojë edhe në ndeshjen e dytë. Duhet të qëndrojmë të fokusuar”, ka thënë Rrahmani.

Ai ka theksuar se ndeshja ndaj klubit gjerman tashmë i takon së kaluarës.

“Le të mendojmë tani për ndeshjen kundër Empolit. Nuk po pranojmë gola. Në ndeshjet e fundit ne kemi ruajtur portën mirë. Është kënaqësi e madhe”, është shprehur Rrahmani.

Artikuj të ngjashëm