Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Roshi pritet t’i bashkohet Shkëndijës

Odise Roshi

Pas Ferhan Hasanit, reprezentuesi i Shqipërisë, Odise Roshi pritet të jetë përforcimi i madh i Shkëndijës së Tetovës në afatin kalimtar të janarit. Mediumet nga Maqedonia e Veriut, kanë raportuar të mërkurën se transferimi i Roshit te ekipi tetovar është çështje kohe.

Bëhet e ditur se negociatat mes palëve ka kohë që kanë nisur dhe në parim është arritur marrëveshja. Sulmuesi i krahut, Roshi 30-vjeçar është pjesë e ekipit Boluspor që bën gara në kategorinë e dytë të Turqisë.

Ai ka kontratë me këtë skuadër deri në fund të këtij edicioni, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Këtë sezon, Roshi ka një asistim në 16 paraqitje te Boluspori kurse karrierë ka bërë edhe te Akhmat Grozny, Diosgyori, Rijeka, FSV Frankfurti, Koelni, Flamurtari e Apollonia. Për Shqipërinë ka debutuar në vitin 2011 dhe deri më tani ka realizuar pesë gola në 66 paraqitje.

Gjatë këtij afati kalimtar, Shkëndija ka bërë katër transferime. Krahas Hasanit, është forcuar edhe me Klinsman Caken, Mihail Manevskin e Andre Mensalaon. Stinorin vjeshtor në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e ka mbyllur në pozitën e tretë me 34 pikë, tetë më pak se Shkupi që është lider pas 18 ndeshjeve të zhvilluara. Shkëndija aktualisht gjendet në Antalia të Turqisë për fazën përgatitore para stinorit pranveror që nis muajin tjetër.