Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ferhan Hasani kthehet te Shkëndija

Njëri prej futbollistëve më të mirë shqiptarë në Maqedoni të Veriut, Ferhan Hasani, është kthyer te Shkëndija e Tetovës. Klubi tetovar të enjten ka njoftuar se me Hasanin është nënshkruar kontratë e vlefshme për dy vjet e gjysmë. Për Shkëndijën është përforcimi i tretë në afatin kalimtar të janarit.

“Me Hasanin vijon ndërtimi i skuadrës së re e cila pritet të hap një kapitull të ri në sukseset e radhës së Shkëndijës”, ka njoftuar klubi i suksesshëm nga Tetova.

Hasani është kthyer te Shkëndija pas tri vjet e gjysmë. Së fundi ai luajti për Partizanin e Tiranës. Hasani me Shkëndijën ka fituar pesë trofe. 31-vjeçari luan kryesisht në krah, ndërsa për Maqedoninë e Veriut i ka 40 ndeshje. Tetovari te Shkëndija ka luajtur në dy periudha, ndërsa ishte edhe te Wolfsburgu, Brondby, Al-Ra’edi (Arabi Saudite) dhe HJK Helsinki.

“Në vitin 2011 së bashku e fituam titullin kampion i Maqedonisë së Veriut, dhe dëshira ime është që ta përmbylli përsëri si kampion me Shkëndijën, bashkë me Ballistët dhe Tetovën. Jam tepër i gëzuar që nënshkruaj me Shkëndijën, me klubin ku jam rritur dhe që është klubi im i zemrës. Jo vetëm që në të kaluarën kam qenë pjesë e Shkëndijës dhe kemi fituar shumë tituj së bashku, por sot rikthehem që të ndihmoj skuadrën në fitimin e titullit kampion dhe në sukseset e radhës në garat evropiane. Besoj se rikthehem në momentin e duhur. Gjatë periudhës së kaluar tre vjeçare që nuk isha pjesë e Shkëndijës kam fituar shumë përvojë, dhe këto përvoja të reja më kanë bërë edhe më të fortë. Pres që sa më parë të fillojë sezoni pranveror dhe të filloj të luaj në fanellën e Shkëndijës”, ka thënë Hasani.