Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Roshi i mungon Shqipërisë në dy miqësoret

Odise Roshi

Sulmuesi i krahut, Odise Roshi nuk do të jetë në gjendje të paraqitet për Kombëtaren e Shqipërisë në dy ndeshjet miqësore të këtij muaji, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF). Bëhet e ditur se Roshi ka pësuar tërheqje të muskulit të këmbës në stërvitjen e së hënës, dhe nuk ka udhëtuar fare me ekipin. Shqipëria të martën ka mbërritur në Uells për t’u përgatitur për ndeshjen miqësore kundër ekipit vendas, që zhvillohet të shtunën (5 qershor) prej orës 17:30.

Ndërkohë, tri ditë më vonë do të përballet në udhëtim me Çekinë (20:15).

“Mesfushori Odise Roshi ka pësuar tërheqje muskulore gjatë seancës stërvitore të ditës së hënë dhe i është nënshtruar menjëherë vizitave të specializuara mjekësore.Duke parë gradën e dëmtimit, stafi mjekësor i Kombëtares ka vendosur që lojtari të qëndrojë pushim dhe të mos jetë i gatshëm për dy miqësoret ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke. Kësisoj, Roshi nuk ka udhëtuar me skuadrën drejt Uellsit”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.