Sulmuesi Mirlind Daku nuk do të jetë në dispozicion të selektorit të Shqipërisë, Sylvinho për ndeshjen miqësore ndaj Bullgarisë.
FSHF-ja nëpërmjet një njoftimi ka bërë të ditur se Daku është liruar nga grumbullimi për t’u kthyer te Rubin Kazani në Rusi për ta vazhduar rikuperimin. Ai ka pësuar një lëndim në ndeshjen kundër Çekisë, të cilën Shqipëria e fitoi me rezultatin 3:0 në enjten në Tiranë, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Daku, i cili u inkuadrua në pjesën e dytë dhe asistoi në golin e tretë të Shqipërisë, që u shënua nga Taulant Seferi, ka pësuar tërheqje të muskulit të kofshës së këmbës.
“Sulmuesi Mirlind Daku i është nënshtruar testeve mjekësore për shkak të një tërheqjeje në muskujt e kofshës që pësoi gjatë ndeshje dhe analizat treguan se lojtari ka nevojë për disa ditë pushim në mënyrë që më pas të nisë rikuperimin. Duke qenë se nuk mund të rikuperohet në kohë për miqësoren lojtari është lënë i lirë dhe është larguar nga grumbullimi”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FSHF-së.
Krahas Dakut, është liruar edhe Keidi Bare nga grumbullimi pas kërkesës së Espanyolit.
Shqipëria, të martën prej orës 18:00 luan ndeshjen miqësore me Bullgarinë në Tiranë.