Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rose synon ta këndellë Leipzigun

Trajneri i ri i Leipzigut, Marco Rose, ka premtuar se “do t’i bëjë disa gjëra ndryshe”, para ballafaqimit me ish-skuadrën, Borussia Dortmundin.

Ndeshja derbi e xhiros së gjashtë në elitën e futbollit gjerman ndërmjet Leipzigut e Dortmundit luhet të shtunën nga ora 15:30.

Rose e mori drejtimin e Leipzigut të enjten pasi skuadra e shkarkoi Domenico Tedescon të mërkurën dhe ka thënë se dëshiron që ta përmirësojë disponimin me shumë energji dhe punë, si dhe t’i rikthejë rezultatet pozitive sërish.

Rose u shkarkua në muajin maj pas vetëm një sezoni, pavarësisht se e udhëhoqi Dortmundin drejt vendit të dytë. Mbeti me tetë pikë më pak se Bayern Munichu, që e fitoi titullin në Bundesligë.

Rose, i cili u lind në Leipzig dhe vazhdon të jetojë aty, ka thënë se ka ide të reja për këndelljen e skuadrës.

Leipzigu pozicionohet në vendin e 11-të me pesë pikë në po aq ndeshje.

Më herët, Rose ka fituar dy tituj në Austri me skuadrën e Salzburgut, para se të kalojë në Bundesligën gjermane.

Kampioni në fuqi Bayern Muynichu luan të shtunën nga ora 15:30 në “Allianz Arena” përballë Stuttgartit.

Bavarezët kanë 12 pikë në pozitën e dytë. 12 pikë i ka edhe skuadra e Freiburgut, që befasisht është lider.

Në radhët e veta, Freiburgu e ka futbollistin e krahut, Vincenzo Grifo, i cili ka shënuar tri gola këtë edicion. Me dy gola të tij, Freiburgu ka fituar dy ndeshje me rezultatin 1:0.

Freiburgu do të luajë të dielën nga ora 17:30 ndaj Borussia Moenchengladbachut. Kjo ndeshje e mbyll fundjavën në futbollin gjerman.

Artikuj të ngjashëm