Portugezi Cristiano Ronaldo është futbollisti i vetëm që ka shënuar gola për Juventusin në fazat e nokautit të Ligës së Kampionëve prej se është transferuar te ekipi nga Serie A në verën e vitit 2018. Mediumet italiane kanë raportuar të martën se në dy edicionet e fundit të Championsit, lojtari i vetëm që ka shënuar gola në 1/8 e finales për “Zonjën e Vjetër” mbetet Ronaldo.
Në këto faza, Juventusi i ka luajtur gjashtë ndeshje deri më tani, me Atletico Madridin, Ajaxin dhe Lyonin kurse Ronaldo ka shënuar shtatë gola. Portugezi ka shënuar “hat-trick” në ndeshjen e kthimit kundër Atleticos në sezonin 2018/19 duke ia siguruar kalimin Juventusit në çerekfinale.
Në të njëjtin sezon, Ronaldo shënoi edhe dy gola në dy ndeshjet kundër Ajaxit por që nuk arriti ta shpëtojë Juventusin që u eliminua në çerekfinale. Ndërkohë, edicionin e shkuar, Juventusi u eliminua në 1/8 e finales nga Lyoni përkundër që Ronaldo shënoi dy gola në ndeshjen e luajtur në Torino. Këtë sezon, Juventusi në 1/8 e finales do të përballet me skuadrën e Portos ndërsa ndeshja e parë luhet të mërkurën prej orës 21:00 në Portugali.