Sport

Atletico, “viktima” e preferuar e Ronaldos në Champions

Asnjë garë nuk e bën Cristiano Ronaldon të jetë më i gjallë sesa Liga e Kampionëve. Dhe asnjë ekip nuk e bën Ronaldon më efikas se Atletico Madridi.

Kështu që trajneri Diego Simeone dhe lojtarët e tij mund të falen nëse ndiejnë njëfarë frike kur Ronaldo të paraqitet në stadiumin “Wanda Metropolitano” të mërkurën mbrëma për ndeshjen e parë të 1/8 së finales së Championsit midis Atletico Madridit dhe Manchester Unitedit.

Tani në moshën 37-vjeçare, ylli portugez nuk e ka më forcën që e kishte dikur. Por Ronaldo është lojtari që i ka shkaktuar më së shumti dhimbje Atleticos në Champions gjatë dekadës së fundit.

Në fakt, Atletico është viktima e preferuar e Ronaldos në këtë garë elitare. Prej vitit 2014 deri në vitin 2019, Ronaldo luajti për Real Madridin përpara se t’i bashkohej Juventusit. Ai ishte pjesë e skuadrave që i dhanë fund synimeve të Atleticos për ta fituar trofeun e Ligës së Kampionëve në pesë prej gjashtë edicioneve. Në një edicion, Atletico nuk arriti në fazën e nokautit.

Ronaldo shënoi “hat-trick” për Realin në vitin 2017 dhe për Juventusin në vitin 2019 kundër Atleticos, si dhe shndërroi në gol penalltinë në ndeshjen finale të ekipeve nga Madridi në vitin 2016.

Nuk duhet harruar as festimin e çmendur pas penalltisë së realizuar në kohën shtesë në finalen e vitit 2014, duke shuar përfundimisht shpresat e Atleticos.

Ronaldo është përballur me Atleticon më shumë se me çdo ekip tjetër, 31 herë saktësisht, gjatë kohës së tij te Reali dhe Juventusi. Ai ka shënuar 25 gola, përfshirë katër “hat-trick” dhe ka bërë nëntë asistime gjatë këtyre ndeshjeve.

Deri në vitin 2020, Simeone kishte humbur në fazën e eliminimit të Championsit nga një ekip që kishte Ronaldon në radhët e veta. Po ashtu Ronaldo kishte shënuar “hat-trick” ndaj Atleticos edhe në La Liga në vitet 2012 dhe 2016.

Të mërkurën do të jetë hera e parë që Ronaldo dhe Atletico kryqëzojnë rrugët që nga nëntori i vitit 2019. Ronaldo është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Ligës së Kampionëve me 140 gola të realizuar – 15 më shumë se Lionel Messi dhe 58 më shumë se lojtari tjetër, Robert Lewandowski. Portugezi ka dëshirë të flaktë që të ketë paraqitje sa më të mirë në Champions, veçmas ndaj Atletico Madridit. Golat nuk kanë qenë aq të lehtë për Ronaldon pas kthimit te Unitedi vitin e kaluar, me skuadrën angleze që pati një edicion të turbullt, i cili solli edhe ndryshimin e trajnerit.

Në të vërtetë, Ronaldo ka vetëm një gol në tetë ndeshjet e tij të fundit në të gjitha garat, duke e bërë këtë një nga periudhat e tij më të dobëta që kur u bë makineri shënimi në periudhën e parë te Unitedi, nga viti 2003 deri më 2009.

Megjithatë, Ronaldo shënoi në të pesë ndeshjet e fazës së grupeve të Championsit në të cilat luajti këtë sezon, duke përfshirë golat vendimtarë kundër Villarrealit dhe Atalantas. Ai jeton për skenën e madhe dhe momentet e mëdha, kështu që do të shijojë një rikthim në Madrid për të luajtur ndaj kundërshtarit të preferuar.

Një dëmtim i shokut të sulmit, Edinson Cavani, dhe mungesa e vazhdueshme e Mason Greenwoodit, ka bërë që Ronaldo të startojë në tri ndeshjet e fundit të Unitedit, duke luajtur 90 minuta në dy prej tyre dhe 85 në tjetrën. Unitedi ka qenë i kujdesshëm në raport me angazhimin e Ronaldos, duke mos e ngarkuar shumë këtë edicion.

Në fakt trajneri e ka lënë portugezin lënë jashtë në disa ndeshje. Të luajë titullar në katër ndeshje për 12 ditë nuk është ideale për Ronaldon, përkundër që mprehtësia dhe niveli i tij fizik është i jashtëzakonshëm për një lojtar të moshës 37-vjeçare.

Sidoqoftë ai pritet t’i prijë sulmit të Unitedit të mërkurën ndaj Atleticos. Ka pak gjasa që të mbetet në bankën e rezervistëve, duke pasur parasysh historinë e tij me kampionin në fuqi të Spanjës.