Lionel Messi dhe Inter Miami do të luajnë kundër Cristiano Ronaldos dhe Al-Nassrit në Arabinë Saudite në një ndeshje miqësore në shkurt të vitit të ardhshëm, ka shkruar “Daily Mail” të mërkurën.
Ndeshja tashmë njihet si “Vallëzimi i fundit”. Ka të ngjarë të jetë ndeshja përfundimtare midis dy prej më të mëdhenjve të të gjitha kohërave në futboll. Nuk është dhënë ndonjë datë e saktë. Raportohet vetëm që ndeshja do të zhvillohet në shkurt.
Messi, tani 36 vjeç, e siguroi pjesën më të madhe të trashëgimisë së tij në Barcelonë, ndërsa Ronaldo, 38 vjeç, arriti lartësi të ngjashme me Real Madridin, pasi u largua nga Manchester Unitedi në vitin 2009. Messi, lojtari i Inter Miamit, ishte në shënjestër të klubeve saudite dhe pritej të ndiqte Ronaldon në Lindjen e Mesme këtë vit, përpara se të vendoste përfundimisht të bashkohej me ekipin e Major League Soccer të David Beckhamit.
Ronaldo firmosi me Al-Nassr në dhjetor të vitit të shkuar pas një largimi të hidhur nga Manchester Unitedi. Ishte periudha e tij të dytë në “Old Trafford”. Ylli i Portugalisë paguhet rreth 75 milionë dollarë në vit, në një marrëveshje që zgjat deri në vitin 2025. Edhe Messi do të kishte pasur pagë të ngjashme në ligën saudite. Ai fiton 50 deri në 60 milionë dollarë në Miami, në një kontratë dyvjeçare me opsionin e vazhdimit për vitin e tretë.
Marrëveshja e argjentinasit është financuar pjesërisht nga kompanitë “Adidas” dhe “Apple”, me Messin që merr një përqindje nga shitja e fanellave dhe abonimet në televizionin “Apple” për të parë ndeshjet e ligës MLS. Messi dhe skuadra e tij nuk arritën të sigurojnë plejofin në MLS, pas një starti të dobët të edicionit. Por fituan Kupën e Ligës dhe arritën deri në finale të Kupës “Open US”.
Miqësorja në Arabinë Saudite gjithashtu do të shoh Ronaldon të përballet edhe me dy ish-lojtarët tjerë të Barcelonës, Sergio Busquets dhe Jordi Alba, të cilët e ndoqën Mesin në Miami. Dhe kur ndeshja do të zhvillohet në shkurt të vitit të ardhshëm, ka gjasa që edhe sulmuesi Luis Suarez të jetë në përbërjen e Interi Miamit. Uruguaiani është i lidhur me një kalim te Miami nga Gremio në afatin kalimtar të janarit. Skuadra e Ronaldos, Al-Nassr, ka në radhët e veta ish-sulmuesin e Liverpoolit dhe Bayern Munichut, Sadio Mane, ish-mbrojtësin e Manchester Cityt, Aymeric Laporte, ish-bashkëlojtarin e Ronaldos në United, Alex Telles dhe ish-portierin e Arsenalit, David Ospina.
Inter Miami ka paralajmëruar prej kohësh zhvillimin e disa miqësoreve fitimprurëse jashtë shtetit përpara sezonit të MLS-së të vitit të ardhshëm. Një turne i ekipit pas sezonit, në Kinë, u anulua në fillim të këtij muaji dhe në vend të kësaj Inter Miami luajti me New York Cityn në stadiumin “DRV PNK” për të përkujtuar “Topin e Artë” të tetë të Messit.
Vëllezërit Mas, të cilët zotërojnë klubin së bashku me Beckhamin, kanë folur gjithashtu për organizimin e një miqësoreje me Barcelonën në “Nou Camp” për të lejuar Messin t'u japë lamtumirën tifozëve në fushë. Debati se kush është më i miri, Messi apo Ronaldo, ka ndarë fansat gjatë gjithë karrierës së tyre. Messi fitoi Kupën e Botës me Argjentinën vitin e kaluar. Ronaldo nuk e ka fituar me Portugalinë, por e ka fituar Kampionatin Evropian në vitin 2016.
Messi ka edhe një Kupë të Amerikës. Ronaldo ka më shumë trofe të Ligës së Kampionëve, pesë sish. Katër herë e ka fituar Championsin me Real Madridin dhe një herë me Manchester Unitein. Messi e ka fituar këtë garë katër herë me Barcelonën, por humbi finalen e vitit 2006 për shkak të lëndimit. Messi fitoi titullin e kampionit në La Liga të Spanjës 10 herë në 16 edicione me Barcelonën, ndërsa Ronaldo e fitoi atë dy herë në nëntë vjet te Reali.
Messi, natyrisht, ka tetë “Topa të Artë” në krahasim me Ronaldon që këtë çmim e ka fituar pesë herë. “Topi i Artë” i fundit Messit iu dha këtë vit nga Beckhami në një ceremoni të mbajtur në Paris.
Ronaldo vlerësohet brend i futbollit, i cili pas transferimit të Arabinë Saudite tërhoqi edhe shumë yje të tjerë nga futbolli evropian. Madje, Ronaldo tha se niveli i ligës së Arabisë Saudite është më i mirë se ai i MLS-së.
“Liga saudite është më e mirë se MLS”, tha Ronaldo pasi ekipi i tij humbi 5:0 nga Celta Vigo në një miqësore. “Tani të gjithë lojtarët po vijnë këtu. Brenda një viti edhe më shumë lojtarë të rëndësishëm do të vijnë në Arabinë Saudite”.
Messi, ndërkohë, ka thënë se stili i jetesës në SHBA ishte një faktor kyç prapa lëvizjes së tij në Miami.