Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ronaldo ka mbetur nën hijen e bashkëlojtarit Talisca tek Al-Nassr

Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, vazhdon të gjejë rrjetën në Arabinë Saudite, duke shënuar vazhdimisht gola. Së fundmi, ai shënoi dy gola për të arritur në kuotën e 11 golave në nëntë ndeshje të luajtura në ligë, por Ronaldo ende nuk mund të dalë nga hija e shokut të skuadrës dhe golashënuesit më të mirë të ekipit Al-Nassr, Anderson Talisca. Braziliani gjithashtu shënoi dy herë në fitoren e thellë 5:0 të Al-Nassr ndaj Al-Adalah të martën mbrëma.

Aktualisht, Talisca është golashënuesi më i mirë i ligës me 16 gola të realizuar, sa i ka edhe ish-sulmuesi i Manchester Unitedit dhe Watfordit, Odin Ighalo, i cili luan për ekipin Al-Hilal. Al-Nassr, ekipi që transferoi në radhët e veta Ronaldon 38-vjeçar në janar të këtij viti, duke firmosur deri në vitin 2025, një kontratë të vlerësuar nga media se vlen më shumë se 200 milionë euro, është i dyti në tabelën e ligës së Arabisë Saudite me 52 pikë të mbledhura, një më pak se lideri Al-Ittihad. Kanë mbetur edhe tetë ndeshje deri në fund të sezonit dhe dyja ekipet po luftojnë për titullin e kampionit.

“Çdo top lojtar e bën punën e tij. Fokusi im i plotë është ta ndihmoj ekipin tim, Al-Nassr t’i fitojë ndeshjet dhe të shpallet kampion, e jo të jem golashënuesi më i mirë i ligës. Qëllimi im kryesor është të çoj ekipin drejt fitores dhe më pas do të vijë gjithçka tjetër”, ka thënë Talisca përmes një përkthyesi.

Pak para pushimit ndërkombëtar, Ronaldo ia dorëzoi Taliscas detyrën për të gjuajtur penalltinë fituese kundër skuadrës Abha katër minuta pas kohës së rregullt. Braziliani shënoi dhe ia siguroi fitoren ekipit të tij, ndërsa gjestin e Ronaldos e përshkroi si “respekt të ndërsjellë”. Talisca edhe një herë insistoi se është i nderuar që është bashkëlojtar me kapitenin e Portugalisë.

“Me Ronaldon kemi marrëdhënie shumë të mira dhe mundohemi ta ndihmojmë njëri-tjetrin me përvojën që kemi. Jam i nderuar që e kam bashkëlojtar dhe kemi respekt të ndërsjellë për njëri-tjetrin. Ne nuk luftojmë se kush po shënon më shumë gola, por mundohemi ta ndihmojmë ekipin t’i arrijë synimet që ka. Për ne, rëndësi kanë vetëm fitoret e Al-Nassr, ndërsa kush shënon gola nuk është e rëndësishme”, është shprehur Talisca.

Të martën mbrëma, Al-Nassr kaloi në avantazh nëpërmjet një penalltie në pjesën e parë. Por këtë herë Ronaldo vendosi ta marrë atë dhe shënoi për të arritur në shifrën e 11 golave të realizuar deri më tani.