Cristiano Ronaldo mund të ketë befasuar fansat e Real Madridit kur vuri në dyshim të ardhmen e tij me klubin spanjoll, por bashkëlojtarët e tij shumë javë më parë e kanë ditur për dëshirën e portugezit që të largohet nga “Mbretërit”.
33-vjeçari pas finales kishte paralajmëruar për largimin nga Bernabeu duke thënë se ishte mirë të lush në Madrid dhe se brenda pak ditësh do të informonte për të ardhmen tij.
Gazeta spanjolle “Marca” raporton se Ronaldo u kishte treguar lojtarëve tjerë për largim shumë javë para finales së Ligës së Kampionëve.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë rregullisht ka kërcënuar me largim, por ishte shpërblyer me rritje page dhe vazhdim kontrate.
Kjo gazetë raporton se Ronaldo ka kërkuar pagë të ngjashme me Lionel Messin që te Barcelona paguhet 40 milionë euro për sezon kurse portugezi te Reali fiton 20 milionë euro për sezon.
Ronaldo ka klauzolë lirimi prej 1 miliard eurove dhe paga e tij e lartë do ia bëjë të pamundur klubeve tjera që të shprehin interesim për të, në kohën kur Reali po mendon të gjejë pasardhësin e trajnerit të larguar, Zinedine Zidane.