Cristiano Ronaldo mund të ketë shënuar mbi 40 gola në secilin nga tetë stinorët e tij të fundit, por një ish-bashkëlojtar i tij beson se ai do ta ketë shumë më të vështirë të mbajë këtë seri në Itali.
Mbrojtësi i Napolit, Raul Albiol, ka thënë për gazetën spanjolle “AS” se në Itali do ta ketë të vështirë Ronaldo të shënojë 40 gola, transmeton “Koha Ditore”. Ronaldo e Albiol luajtën së bashku te Real Madridi për disa vjet, por ata do të përballen mes vete kur Napoli do të ndeshet me skuadrën e re të Ronaldos, Juventusin më vonë këtë vit.
“Është e vërtetë se futbolli italian është më taktik dhe defensiv, e po ashtu edhe shumë fizik. Por, duhet të dish si të luash atë. Cristiano është lojtar i madh, me potencial të jashtëzakonshëm. Por, në Itali do të jetë e vështirë të shënojë 40 gola”, ka thënë Albiol.
Ronaldo nuk ka arritur të gjejë rrugën e golit në tri ndeshjet e para zyrtare me Juventusin në Serie A, ndonëse skuadra e tij ka shënuar mjaft gola. Ka shënuar shtatë gola ndaj Chievos, Lazios e Parmës, ndërsa Ronaldo ka vetëm një asistim deri më tash.
Mirëpo, nuk është ende koha për panik. Siç thotë Albiol, Ronaldo ka nisur edhe më herët një stinor ngadalshëm, madje e nisi në atë mënyrë edhe vitin e kaluar... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)