Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Juventusi po vuan për gola pas largimit të Ronaldos

Skuadra e Juventusit ka pasur vështirësi t’i zëvendësojë golat e Cristiano Ronaldos, pasi këtë sezon është në mesin e ekipeve me rekordin më të dobët të shënimit të golave në Serie A.

Portugezi Ronaldo ka shënuar 101 gola në 134 ndeshje zyrtare me Juventusin duke e ndihmuar të fitojë dy tituj kampioni dhe një kupë të Italisë gjatë tre vjetëve në Torino.

Mirëpo, ylli portugez u largua nga Juventusi në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës për t’u kthyer te Manchester Unitedi dhe ekipi në Serie A nuk ka gjetur zëvendësimin adekuat për Ronaldon.

Aktualisht, Juventusi zë vendin e tetë në tabelë dhe ka shënuar vetëm 16 gola në 12 xhirot e para të këtij edicioni.

Më së shumti gola deri më tani te Juventusi në kampionat ka shënuar Dybala (3), i përcjellë nga Moise Kean, Federico Chiesa e Alvaro Morata që kanë nga dy gola të realizuar.