Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Te Juventusi zbulojnë se Ronaldo kishte kërkuar largimin

Drejtori sportiv i Juventusit, Federico Cherubini ka zbuluar se planet e ekipit italian ndryshuan tërësisht kur Cristiano Ronaldo kishte thënë se dëshiron të largohet nga Torino.

Sipas tij, Ronaldo nuk kishte kërkuar një gjë të tillë deri në javën e fundit të afatit kalimtar të verës dhe në klub ishin të bindur se portugezi do të qëndronte këtë sezon.

Pas kërkesës së Ronaldos, portugezi u transferua te Manchester Unitedi për 23 milionë euro me bonuse pas tri vjetësh në Torino.

Cherubini ka thënë se Manchester City nuk donte të paguante asnjë cent për Ronaldon derisa Manchester Unitedi ofroi dëmshpërblim për ta kthyer portugezin në “Old Trafford”.

Ronaldo përgjatë tri sezoneve te Juventusi, shënoi 101 gola në 134 ndeshje në të gjitha garat.

“Është e pamundur të zëvendësojmë një lojtar si Ronaldon, por ai e kërkoi largimin dhe ne nuk mund ta detyronim të qëndronte në klub pa dëshirën e tij. Deri një javë para se të niste sezoni, ne ishim të bindur se Ronaldo do të qëndronte por pastaj ndryshoi tërësisht situata dhe pas shitjes së tij, e transferuam Moise Keanin që u kthye te Juventusi”, ka thënë Cherubini.