Pas një dekade me paraqitje aspak të mirë në Serie A, Milani më në fund e ka gjetur rrugën e duhur për të luftuar për titull kampioni.
Aspiratat për titull, megjithatë mund të ngecin në fundjavë, kur “rossonerët” luajnë kundër Romës së drejtuar nga Jose Mourinho. Ky duel zhvillohet të dielën në orën 20:45.
Për herën e fundit, Milani e ka fituar “Scudetton” në vitin 2011. “Kuqezinjtë” kanë përfunduar mes vendit të pestë dhe të 10-të në secilin sezon nga viti 2013 e deri në edicionin 2019/20. Sezonin e kaluar patën paraqitje të mirë nën drejtimin e Stefano Piolit kur zunë vendin e dytë.
Nëntë fitore e një barazim e ka Milani në edicionin e sivjetmë në Serie A, me 28 pikë gjithsej, aq sa ka edhe Napoli, që të enjten mposhti Bolognan.
Ky është starti më i mirë i Milanit në elitën e futbollit italian në 67 vjet.
Roma ishte ajo që vikendin e kaluar e ndali hovin e fitoreve të Napolit.
Roma është skuadra që ka fituar 76 herë kundër Milanit në 172 ndeshjet e kaluara, ndërsa ka pësuar 45 disfata, e 51 ndeshje kanë përfunduar baras.
Megjithatë, Roma e ka fituar vetëm një ballafaqim në shtatë ndeshjet e fundit kundër “kuqezinjve”, ka pësuar katër disfata dhe ka barazuar dy herë.
13 pikë larg kreut është skuadra më e trofeshme në Itali, Juventusi, që në humbjen kundër Sassuolos, hynte me seri prej nëntë ndeshjeve rresht pa disfatë. Në xhiron e 11-të luan në udhëtim kundër Veronas, të shtunën në orën 18:00.
Lideri i ligës falë goldallimit, Napoli, do ta kërkojë fitoren e 10-të sezonale kundër Salernitanas të dielën në orën 18:00.
E kampioni në fuqi i Italisë, Interi, që është shtatë pikë larg Napolit e Milanit, do të luajë të dielën në mesditë kundër Udineses në “Giuseppe Meazza”.