Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Roma e huazon sërish Kluivertin

Sulmuesi i krahut, holandezi Justin Kluivert nuk do të jetë pjesë e Romës as në sezonin e ri. Mediumet italiane kanë njoftuar të premten se Kluivert është huazuar në Francë, te skuadra e Nices për sezonin e ri, me detyrim të blerjes së kartonit të tij në vlerë prej dhjetë milionë eurosh.

Kluivert edicionin e shkuar ishte i huazuar te Leipzigu, ekip për të cilin realizoi katër gola në 29 ndeshje. Holandezi 22-vjeçar u pat transferuar te Roma në vitin 2018 nga Ajaxi dhe me ekipin italian pati firmosur kontratë deri në vitin 2023.

Për dy sezone të luajtura te Roma, Kluivert shënoi vetëm pesë gola në 53 paraqitje në të gjitha garat.