Sulmuesi i krahut, Justin Kluivert, do ta vazhdojë karrierën në Angli, pasi prej edicionit të ri do të jetë pjesë e skuadrës së Bournemouthit.
Mediumet britanike kanë raportuar të enjten se Bournemouthi ka arritur marrëveshje me Romën për transferimin e Kluivertit, i cili do të zyrtarizohet javën tjetër te skuadra angleze.
Për kartonin e holandezit, Bournemouthi do t’i paguajë Romës 10 milionë euro, ndërsa Kluivert me ekipin e ri do të firmosë kontratë pesëvjeçare.
Kluivert iu bashkua Romës në vitin 2018 nga Ajaxi, por në tri edicionet e fundit ka qenë i huazuar te Leipzigu, Nice dhe Valencia, për shkak se nuk bënte pjesë në planet e klubit italian.
Së fundmi, Kluivert shënoi 8 gola për Valencian në të gjitha garat, ekip që nuk e shfrytëzoi opsionin e blerjes së tij.