Skuadra e Romës e pret Juventusin në derbin e xhiros së 25-të në Serie A. Kjo ndeshje luhet të dielën prej orës 20:45 në stadiumin “Olimpico” të Romës dhe do të jetë tejet e rëndësishme për dyja ekipet që po luftojnë për një vend që siguron paraqitjen në Ligën e Kampionëve edicionin tjetër. Roma mund të jetë pa trajnerin Jose Mourinho, i cili është i suspenduar me dy ndeshje pas veprimeve që i bëri ndaj arbitrave javën e shkuar pas humbjes nga Cremonese. Roma të premten ka apeluar ndaj vendimit për Mourinhon dhe po shpreson që në ditën e ndeshjes ta ketë në dispozicion portugezin për derbin me Juven.
Roma është e katërta në tabelë me 44 pikë, nëntë më shumë se Juventusi që renditet i shtati, pas heqjes së 15 pikëve shkaku i mashtrimit financiar. Ekipi nga Torino ditë më parë ka apeluar ndaj këtij vendimi dhe po shpreson që para përfundimit të sezonit t’i kthehen pikët e marra. Skuadra e Romës nuk ka treguar formë stabile në duelet e fundit, për dallim prej Juventusit që është në seri prej katër fitoreve. Humbja nga Cremonese ishte e dyta për Romën në pesë ndeshjet e fundit, ku e ka edhe një barazim e dy humbje. Te Juventusi për këtë duel pritet të jetë gati Federico Chiesa që mungoi në ndeshjen e fundit ndaj Torinos, ndërsa prej minutës së parë pritet të aktivizohet Paul Pogba. Mesfushori francez luajti në duelin me Torinon për 20 minuta dhe kjo ishte ndeshja e tij e parë zyrtare pas gati një viti. Pogba tashmë është rikuperuar nga lëndimi dhe do të jetë ndihmë e madhe për Juventusin që po kërkon ngjitjen në tabelë.
Kampioni në fuqi, Milani luan në udhëtim te Fiorentina, të shtunën prej orës 20:45, ndërsa Interi të dielën e pret skuadrën e Lecces në duelin që nis në orën 18:00. Interi pësoi xhiron e shkuar nga Bologna kurse Milani triumfoi ndaj Atalantas. Të dyja ekipet e qytetit të Milanos, kanë tubuar nga 47 pikë deri më tani.