Riola Xhemaili ishte vlerësuar talente e volejbollit. Talente e madhe vlerësohet edhe sot. Por jo në sportin e rrjetës.
18-vjeçarja me prejardhje nga Gjilani cilësohet njëra prej talenteve më të mëdha të futbollit në Zvicër. Vlerësime pozitive për Xhemailin, që luan për Freiburgun e Bundesligës gjermane, pati edhe Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA).
Xhemaili pranon se volejbollin e donte më shumë si fëmijë. Por, në futboll ajo ka një karrierë të tërë para.
“Karriera ime ka filluar me volejboll dhe ka qenë rastësi ta dua futbollin me zemër. Kjo ka ndodhur duke shikuar vëllain tim binjak. E shikoja se si luante me teknikën e tij të mirë dhe shpirtin luftarak. Kështu filloi karriera ime me futbollin që e dua aq shumë”, ka thënë Xhemaili të dielën në një intervistë për KOHËN.
Pra, ishte vëllai i saj binjak, Rioni, që u bë shkas që Riola ta vazhdojë rrugëtimin në futboll e jo në volejboll.
“Pasi vendosa të merresha me futboll ndjeka rrugën bashkë me vëllain tim, Rionin. Me Rionin ishim bashkë në një skuadër. Kemi qenë bashkë në stërvitje dhe më ka ndihmuar shumë në lëvizjet pa dhe me top. Më ka ndihmuar të përmirësohem edhe në teknikë e shpejtësi, sidomos të kem karakter të fortë. Pavarësisht lëndimit të vogël apo të madh, Rioni më ka përkrahur shumë të qëndroj prapë në këmbë dhe të mos dorëzohem kurrë”, është shprehur reprezentuesja e Zvicrës.
Riola është rritur në Solothurn të Zvicrës, së bashku me motrën më të madhe dhe vëllain binjak. Është nga një familje që e do futbollin. Babai dhe xhaxhallarët e saj ishin futbollistë. Njëri prej tyre ka luajtur për Grasshopperin.
Vëllai i saj, Rioni, ka luajtur për Solothurnin. Në një ndeshje të tij, trajneri e ftoi Riolën për stërvitje. Nisi me ekipin U-11 të djemve të Solothurnit.
“Nuk është e zakonte që një vajzë të ushtrojë me djem, por mua më ka forcuar shumë. Kuptohet, ata kishin forcë dhe shpejtësi më të madhe, por më ka ndihmuar kur fillova pastaj të luaja futboll ndaj vajzave. Kam qenë një hap para dhe më e përgatitur në çdo formë”, është shprehur futbollistja.
Reali, Barcelona, Lyoni...
Riola më pas kaloi te Baseli dhe ishte vajza e vetme në ekipin e djemve. Ishte më pas kapitene e U-15.
Ajo debutoi për ekipin e futbollisteve të rritura të Baselit në shkurt të vitit 2019, kur ishte ende 15-vjeçare.
“Kam pasur besim se do të bëhem profesioniste. I kam dhënë vetes detyra si në ushtrime, disiplinë e po ashtu duke u përshtatur me kushtet profesionale dhe duke i dëgjuar këshillat e trajnerëve profesionistë. Unë vazhdoj dhe do të mbetem gjithnjë e përulur dhe e përkushtuar për futbollin në maksimum”, ka theksuar Xhemaili.
Tani Riola luan në Freiburg, në Bundesligë, dhe është një lojtare e rëndësishme në përfaqësuesen “helvetike”, ndonëse ende në moshën 18-vjeçare.
Synimet e saj janë më të mëdha. Pjesë e Freiburgut është edhe futbollistja e Përfaqësueses së Kosovës, Erëleta Memeti.
Te Freiburgu, Riola mban numrin 10, numër i pëlqyer në futboll.
“Për momentin jam në Freiburg, në Bundesligën gjermane, që është një ligë shumë e fortë. Unë mendoj të vazhdoj të punoj dhe vetëm të punoj, kurse synimet janë të arrij në ekipet e njohura botërore si Chelsea, Arsenali, Real Madridi, Barcelona, Lyoni apo edhe ndonjë klub tjetër të njohur evropian”, thotë ajo me bindje.
Aftësitë e udhëheqjes me top të Riolës vlerësohen të jashtëzakonshme, e njëjtë edhe kualitetet njerëzore. Me fizikun e saj, Riola ofron intensitet të lartë.
Synimet e mëdha në Evropian
Riola ka debutuar te Zvicra U-19 me fitoren 7:0 ndaj Letonisë. Në tetor të vitit 2019 shënoi “hat-trick” në debutim. Madje, tre golat i realizoi brenda tre minutave. Në shtator të vitit 2020, bëri paraqitjen e parë për ekipin A të Zvicrës. Që atëherë mesfushorja e Freiburgut ka shënuar dy gola në 11 paraqitje.
Ajo është pjesë e një programi të federatës që përkrah lojtaret me potencial, ashtu siç ishin vlerësuar dy yjet, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka. Ditë më parë u vlerësua edhe nga UEFA.
“Falënderoj për vlerësimin dhe besimin. Ndërsa mua më mbetet edhe më tepër të punoj dhe t’i tregoj aftësitë e mia gjithnjë e më shumë si futbolliste profesioniste. Edhe Zvicrën e falënderoj shumë për vlerësimin dhe besimin që ka për mua. Dëshiroj që në kampionatin evropian të arrij sa më lart që është e mundur dhe dëshiroj që t’i arrij rezultatet e Xherdanit dhe të Granitit duke dhënë maksimumin, me ndihmën e të gjitha bashkëlojtareve”.
Zvicra është kualifikuar për në Evropianin që në korrik të këtij viti mbahet në Angli. Zvicra është pjesë e Grupit C bashkë me Rusinë, Suedinë dhe Holandën. Sipas UEFA-s, Riola është lojtare që duhet ndjekur në Evropian.
Ndeshjen e parë Zvicra e luan kundër Rusisë më 9 korrik. Më 13 korrik luan ndaj Suedisë, kurse më 17 korrik ndaj Holandës.
“Do të jap maksimumin edhe pse është ngjarja e parë e madhe për mua. Do të angazhohem shumë për ta dhënë maksimumin duke luajtur përkrah shumë lojtareve të njohura në botë”, është shprehur Xhemaili.
Riola thotë se viziton edhe vendin e lindjes së prindërve të saj. Ajo tregon se në Kosovë ndihet shumë mirë.
“Kosova është një vend i shumë mrekullive, mikpritjes, zemërgjerësisë dhe gjerave pozitive. Ju uroj sportistëve të Kosovës shumë suksese. I ftoj të punojnë shumë, të kenë disiplinë, pasi vetëm ashtu gjithçka është e mundur. Duhet vullnet dhe punë të pandërprerë për t’i arritur majat”, ka thënë Xhemaili. Ajo është në rrugën e duhur për në majën sportive.