Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rimeçi mes Joshuas e Usykut mund të mbahet në pistë helikopteri

Rimeçi i kategorisë së rëndë ndërmjet Anthony Joshuas me Oleksandr Usykun mund të mbahet në lartësi prej 321 metrave nga toka, një në pistë helikopteri.

Dyshja pritet të dalë sërish në ring me britanikun Joshua që ka kërkuar revanshin pas disfatës që e pësoi në shtator të vitit të shkuar nga boksieri ukrainas. Ai meç qe zhvilluar në stadiumin e Tottenhamit në Londër, por revanshi mes Joshuas e Usykut do të mbahet jashtë Anglisë. Promotori Eddie Hearn ka dhënë tashmë disa opsione se ku mund të zhvillohet ky meç, ndërsa së fundi është përmendur Dubai. Në fakt, ai ka thënë se ky meç mund të zhvillohet në hotelin luksoz “Burj Al Arab”. Ai po ashtu ka njoftuar se gjasat janë të mëdha që Joshua e Usyk të përballen në fund të muajit mars. Në fakt, 32-vjeçari Joshua kishte bërë sparing në hotelin e Dubait më herët, teksa kishte bërë promovim për “Sfidën e Fitnesit” në këtë vend.

Postimi i fundit që Hearn e ka bërë në rrjetin social Instagram, ai shihet duke ecur në pistën e helikopterit dhe kjo ka nxitur debatet se meçi do të mbahet pikërisht në atë vend. Edhe pse ky vend duket si zgjidhje e pamundur për një meç të boksit, në të kaluarën ka qenë nikoqir i disa ngjarjeve sportive. Rory Mcllroy kishte luajtur golf, David Coulthard kishte bërë manovra me bolidin e Formula 1, ndërsa Roger Federer kishte luajtur meç të tenisit kundër tenistit Andre Agassit. Herën e fundit që është përmendur një meç boksi që të zhvillohet në majë të këtij hoteli ishte lufta ndërmjet Money Kicks e Floyd Mayëeather. Tifozët natyrisht janë shprehur shumë të emocionuar me idenë që ta shohin Joshuan dhe Usykut të boksojnë në një lartësi të tillë. Megjithatë, disa prej tyre kanë nënvizuar sfidat logjistike me të cilat do të përballeshin organizatorët e një organizimi kaq të madh.

“Do të ishte e veçantë dhe interesant që meçi të zhvillohet në atë vend, por nuk do të mund të shitej asnjë biletë. Do të ishte njësoj si në periudhën e izolimit. Anthony Joshua është shitësi i dytë më i madh i biletave në sportin e boksit. Pse Ed do ta humbte një shans për të fituar shumë financiarisht”, kishte shkruar një tifoz.

Ndërsa një tjetër ka shkruar: “Kam qenë në atë vend vikendin e shkuar, do të thosha se kjo është shumë sfiduese. Si do ta mbulojnë sigurimin, të pranishmit dhe mediat kur ky është vetëm një hotel?”.

Joshua u mposht për herën e dytë në karrierë nga ukrainasi i rrezikshëm në muajin e kaluar dhe humbi brezat WBA, IBF dhe WBO, që i mbante qëkur mposhti Andy Ruizin në dhjetor të vitit 2019.