Dhuna, fishekzjarrët dhe koronavirusi. Rreziqet janë më se të qarta përpara derbit të Bundesligës, që luhet të shtunën ndërmjet Union Berlinit dhe rivalit të qytetit, Herthas.
Pavarësisht se normat e infeksionit vendosën rekorde ditore në Gjermani këtë javë, senati i Berlinit dha dritën jeshile të martën që skuadrës së Unioni t’i lejohet mbushja e plotë e stadiumit për herë të parë që nga fillimi i pandemisë. Deri në 22.012 mbështetës do të lejohen në tribuna, kryesisht duke qëndruar në këmbë në “Stadion an der Alten Foersterei” në lagjen lindore të Koepenick, ku shkalla e infeksionit po rritet në mënyrë drastike për çdo ditë.
“Është vërtet e mrekullueshme të kesh një stadium të mbushur, ku atmosfera do të jetë e shkëlqyer dhe shumë e zjarrtë. Por sigurisht, që në kokë vazhdimisht i kemi shifrat e të infektuarve me koronavirus, që po rriten sërish në këto momente”, tha mbrojtësi i Herthas, Niklas Stark.
Në një përpjekje për të reduktuar rrezikun të shtunën, tifozët do të duhet të tregojnë dëshmi të vaksinimit ose shërimit dhe atyre nuk do t’u shërbehet alkool në lojë. Tifozëve të pranishëm, gjithashtu, u kërkohet të testohen para ndeshjes, ndërsa autoritetet shpresojnë që ata t’i mbajnë maskat e tyre gjatë gjithë takimit. Mirëpo, policia e Berlinit ka shqetësime të tjera, përtej koronavirusit. Herën e fundit që tifozët morën pjesë në derbin e qytetit, para pandemisë në nëntor të vitit 2019, ishte një takim i zjarrtë me tifozët e Herthas, që gjuanin fishekzjarrë në fushë dhe në drejtim të tifozëve të Unionit gjatë lojës. Portieri i Unionit, Rafal Gikiewicz, vlerësohet se e parandaloi më të keqen më pas, pasi u përball me tifozët e zemëruar të ekipit të tij për t'i ndaluar ata të arrinin te tifozët e Herthas në anën tjetër. Gikiewicz tashmë është pjesë e skuadrës së Augsburgut. Policia ka përvojë të kohëve të fundit në trajtimin e dhunës së mundshme, pasi siguroi që ndeshja e Ligës së Konferencës mes Union Berlinit dhe Feyenoordit më 5 nëntor të kalojë pa incidente të mëdha.
“Është padyshim një problem”, tha Stark, për rrezikun e telasheve nga tifozët. “Nuk është çështja jonë, por shpresoj të mos ketë incidente. Ne jemi të përqendruar në lojë dhe nuk duhet të shpërqendrohemi”.
Herthas i duhen më shumë pikët sesa Unionit, pas një fillimi tjetër të dobët të sezonit. Hertha është aktualisht në vendin e 13 në tabelë, derisa Unioni është i teti dhe po e shijon edicionin e tij të parë në garat evropiane pas kualifikimit në Ligën e Konferencës. Union Berlini u promovua në Bundesligë vetëm në vitin 2019. Klubi me bazë në Koepenick është i vetmi ekip i Bundesligës që ka luajtur më parë në Oberligën e Gjermanisë Lindore. Hertha është e vendosur në perëndim të Berlinit dhe ka luajtur në Bundesligën e Gjermanisë Perëndimore përpara ribashkimit. Pandemia i kishte mbajtur të ndarë tifozët e dy skuadrave që nga promovimi i Unionit, përveç përplasjes së parë të skuadrave në Bundesligë, pasi katër ndeshjet e tjera u luajtën në stadiume bosh. Hertha fitoi të dy ndeshjet në “Olympiastadion”, ndërsa Unioni e fitoi të parën dhe e barazoi të fundit në Koepenick. Të mbajtur jashtë, mbështetësit iu kthyen afisheve për të treguar besnikërinë e tyre. Afishet ngjitëset të Herthas të mbuluara nga ato të Unionit dhe anasjelltas janë ende një pamje e zakonshme në shtyllat e dritave të kryeqytetit gjerman.
Edhe
Stadiumet e Bundesligës janë sërish plot, në kohë për finalen e sezonit
Ndërsa disa mbështetës të vendosur mbeten të prirë ndaj dhunës, pjesa e madhe e rivalitetit mes tifozëve është e natyrës së mirë. Kevin-Price Boateng, i kthyer në Hertha këtë sezon, tha se derbi nuk është një punë e madhe për faktin se Unioni ende është një i sapoardhur në Bundesligë.
“Ka vetëm një klub të madh në Berlin dhe ky jemi ne”, insistoi Boateng.