Sport

Union Berlini e luan ndeshjen vendimtare para dy mijë tifozëve

Berlin, 17 maj – Tifozët e futbollit në Gjermani do të kthehen në stadiume të shtunën, për herë të parë që nga tetori i vitit të shkuar. Autoritetet e Berlinit u pajtuan të heqin masat anti-Covid për dy mijë persona, të cilat do ta përcjellin nga afër ndeshjen e fundit të Union Berlinit këtë edicion në Bundesligë kundër RB Leipzigut.

Me shkallën e infeksionit të koronavirusit në Berlin që ka rënë nën 100 raste në 100 mijë njerëz për pesë ditë rresht, autoritetet e qytetit gjerman kanë thënë se masat mund të hiqen nëse paraqiten aplikimet për ngjarjet që mund të jenë testuese. Union Berlini e kishte paraqitur një kërkesë të tillë të dielën, me nivelin e infeksionit lokal në 68 persona në 100 mijë njerëz. Autoritetet miratuan të hënën lejimin e një numri të caktuar të tifozëve.

“Union Berlini aplikoi dhe në vendosëm së bashku në konsultim me autoritetet e shëndetësisë që dy mijë tifozë për ndeshjen kundër RB Leipzigut të lejohen të futen në stadium”, ka thënë Martin Pallgen, zëdhënësi i departamentit të sportit në Berlin.

Ky miratim ka lejuar që mbajtësit e biletave sezonale të jenë në gjendje ta përkrahin Union Berlinin nga tribunat në tentimin për të siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane për sezonin e ardhshëm në ndeshjen e xhiros së fundit të Bundesligës. Union Berlini po lufton për një vend në Ligën e Konferencës, pasi renditet i shtati në kampionat. Në njoftimin e ekipit nga Bundesliga në uebfaqen zyrtare thuhet se “projekt piloti” do të lejohet të vazhdojë vetëm nëse një gjë të tillë e “lejon situata me pandeminë”. Sipas Pallgenit, miratimi është i kushtëzuar nga niveli i numrit të rasteve me koronavirus që do të përcillet përgjatë kësaj jave. Nëse normat e infeksionit mbeten të ulëta, tifozët që janë rikuperuar nga Covid-19, janë vaksinuar plotësisht ose mund të ofrojnë një test negativ, do të lejohen të futen në stadiumin “Alte Foersterei”, i cili zakonisht ka deri në 20 mijë mbështetës. Me kërkesën nga mbështetësit e pasionuar të Unionit, që tejkalojnë numrin e kufizuar që do të lejohet në tribuna, biletat do të ndahen përmes një shorti midis mbajtësve të biletave të sezonit. Kufizime të rrepta të koronavirusit kanë qenë në fuqi në Gjermani që nga vjeshta e kaluar dhe stadiumet e Bundesligës kanë mbetur bosh që nga fundi i muajit tetor.

Megjithatë, me uljen e shkallës së infeksioneve në të gjithë Gjermaninë dhe me fushatën e vaksinimit të që tani po vazhdon me ritëm të shpejtë, shumë qytete tashmë kanë bërë lëvizje të kujdesshme për të hapur ekonominë. Ngrënia në natyrë është vendosur të lejohet në Berlin nga fundjava e ardhshme për herë të parë që nga tetori, ndërsa zonat bregdetare janë hapur për turistët.

Unioni Berlini do të jetë ndoshta i vetmi klub elitar që këtë vikend do ta luaj ndeshjen kampionale përpara tifozëve vendas, pasi autoritetet në Munich dhe vendet e tjera, kanë përjashtuar kthimin e mbështetësve në tribuna. Union Berlini ka qenë ndër klubet e vetme të Bundesligës që këtë sezon ka qenë aktiv në tentimin për të rikthyer tifozët në stadium. Tifozët që do të marrin pjesë në ndeshjen e së shtunës do të jenë në gjendje të marrin një test të shpejtë antigjen në qendrën e provave të vetë klubit, e cila u hap për publikun në afërsi të stadiumit muajin e kaluar. Për dallim prej Union Berlinit, ekipi i Bundesligës 2, Holstein Kiel ka refuzuar mundësinë që ndeshjen e fundit të këtij edicioni ta luajë me tifozë të tribuna, përkundër që bashkia e qytetit i ka lejuar një gjë të tillë. Të dielën, Kieli luan kundër Darmstadtit dhe mund ta sigurojë promovimin në Bundesligë.

“Edhe pse ishim në gjendje të luajmë me tifozë në tribuna, ne ndeshjen tonë finale do ta luajmë ashtu siç kemi luajtur përgjatë këtyre shtatë muajve, me dyer të mbyllura. Nuk duam të jemi klub me trajtim të veçantë në këtë aspekt”, ka insistuar presidenti i Kielit, Steffen Schneekloth.