Kosovës po i kthehet në formën më të mirë ylli i edicionit të parë të Ligës së Kombeve, Arbër Zeneli.
Sulmuesi i krahut ka bërë rikthim të fuqishëm duke shënuar dy gola në miqësoren kundër Lituanisë, të cilën “Dardanët” e fituan me rezultat të thellë 4:0, të mërkurën, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Për këmbëshpejtin që luan te Reimsi në Ligue 1 të Francës, ishte hera e parë që shënoi për Kosovën pas një kohe të gjatë. Ai gjeti rrugën drejt portës pas dy vjetësh.
Për herë të fundit 26-vjeçari kishte realizuar në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2020” kundër Bullgarisë, po në “Fadil Vokrri”, më 25 mars të vitit 2019. Ai takim kishte përfunduar me rezultat të barabartë, 1:1. Goli i Zenelit ishte i pari i Kosovës në kualifikimet për Kampionat Evropian.
Të mërkurën dy golat e tjera për Kosovën ndaj Lituanisë i shënuan Vedat Muriqi dhe Besar Halimi.
Arbër Zeneli ka arritur në shifrën e nëntë golave në 23 ndeshje me fanellën e Kosovës, duke llogaritur edhe ndeshjet miqësore. Ai është shënuesi i dytë më i mirë i “Dardanëve”, pas Vedat Muriqit. Me golin ndaj Lituanisë, Muriqi ka arritur në shifrën e 11 golave në 27 ndeshje, kurse shënuesi i tretë më i mirë është Amir Rrahmani. Rrahmani ka pesë gola me përfaqësuese në 34 paraqitje dhe është lojtari me më së shumti ndeshje.
Arbër Zeneli ishte lënduar derisa ishte duke luajtur me Kosovën, në duelin me Malin e Zi, më 7 qershor të vitit 2019. Ai ishte zëvendësuar në fund të pjesës së parë. Lëndimi e la yllin kosovar jashtë fushës për gati një vit duke bërë që forma e tij të bjerë.
Sulmuesi i krahut i kishte humbur të gjitha ndeshjet kualifikuese për “Euro 2020”. Rikthimi i Zenelit ndodhi me 29 shkurt të vitit të kaluar te skuadra e Reimist ndaj Monacos.
Zeneli pritet të jetë startues edhe në ndeshjen e së dielës kundër Suedisë, duel që do të jetë i parë në ciklin kualifikues për Kampionatin Botëror që do të mbahet në vitin 2022, në Katar.
Në këtë sezon me skuadrën franceze, Reims, Zeneli, ka shënuar tre gola dhe ka bërë edhe katër asistime.