Piloti australian Daniel Ricciardo do të garojë për skuadrën e McLarenit në Formula 1 nga edicioni i ardhshëm. Lajmi është bërë i ditur nga McLareni.
Australiani 30-vjeçar do të jetë partner me britanikun Lando Norris te McLareni nga viti i ardhshëm. Ai do ta zëvendësojë spanjollin Carlos Sainz. Sainz është zyrtarizuar te Ferrrari.
“Danieli është një hap tjetër në planin tonë afatgjatë dhe do të sjellë një dimension tjetër. Unë dua po ashtu të falënderojë Carlosin për punën e shkëlqyer që ka bërë për McLarenin duke ndihmuar në planin tonë të rikuperimit. Ai është një lojtar ekipor dhe i urojmë gjitha të mirat në të ardhmen”, ka thënë shefi-ekzekutiv i McLaren Racing, Zak Brown.
Ricciardo, që do të largohet nga Renault në fund të vitit, raportohet se do të fitojë 35 milionë euro në kontratën e tij dyvjeçare me McLarenin.
"Sainz ka dëshmuar se është shumë i talentuar dhe ka dëshmuar se ka aftësi teknike dhe çasjen e duhur”, ka thënë shefi i Ferrarit, Mattia Binotto.
Ai te Ferrari do ta zëvendësojë gjermanin Sebastian Vettel, që do të largohet në fund të stinorit.