Sport

Rexhbeçaj – lojtari “pa” përfaqësuese që me 24 vjet bëhet kapiten në Bundesligë

Elvis Rexhbecaj

I lindur në Gjonaj të Prizrenit, i rritur në Gjermani dhe me karrierë në Bundesligë. Mesfushori Elvis Rexhbeçaj po prek nivele gjithnjë e më të larta. Së fundi ai ishte kapiten në një ndeshje të kampionatit gjerman. Për një 24-vjeçar është jo e shpeshtë.

Shumë pritet nga Rexhbeçaj në të ardhmen, por me shumë kërshëri pritet edhe një vendim i tij. Vendimi se për cilën përfaqësuese do të luajë. Apo nëse do të luajë për ndonjë përfaqësuese.

Rexhbeçaj është ende pa përfaqësuese. Kosova ka kohë që ka shprehur interesim për të, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete lidhur me afrimin e tij te “Dardanët”. Ai nuk ka luajtur për përfaqësuese as në nivelin e të rinjve. Pra është në dispozicion që të luajë për Kosovën e Shqipërinë e eventualisht për Gjermaninë.

Të dielën, Rexhbeçaj ishte kapiten i Augsburgut në humbjen 3:2 nga Koelni. Koelni është një prej ish-skuadrave të tij. Në mungesë të kapitenit të parë, Jeffrey Gouweleeuw, trajneri i Augsburgut ia besoi kosovarit shiritin e kapitenit.

“Ai është përshtatur shumë shpejt. Merr detyra të menaxhimit, flet shumë dhe e shtyn ekipin para. Ai ka përparuar në javët e fundit dhe i merr të tjerët më vete. Kështu që vendimi që ai të bëhet kapiten ishte i lehtë”, ka thënë trajneri i Augsburgut, Enrico Maasen.

Rexhbeçaj është këtë edicion i padiskutueshëm në përbërjen bazë të Augsburgut. Ka kompletuar tetë prej dhjetë ndeshjeve në Bundesligë. Në njërën u zëvendësua në minutën e 75-të e në një tjetër në minutën e 82-të.

Ai tashmë ka arritur në shifrën e 113 golave në Bundesligë. I ka shtatë gola e tetë asistime. Në kategorinë e katërt gjermane i ka 47 ndeshje, ndërsa ka luajtur edhe në Bundesligën U19 dhe U17.

Wolfsburgu, Koelni e Bochumi janë ish-skuadrat e tij. Në verë firmosi për katër vjet me Augsburgun. Dhe menjëherë iu besuar shiriti i kapitenit, ndonëse përkohësisht.

“Ishte nder për mua që të jem kapiten. Por dua të jem i sinqertë, do të preferoja që të fitonim”, ka thënë mesfushori.

Sipas sajtit zyrtar të Bundesligës dhe të Augsburgut, Rexhbeçaj ka pasaportë të Gjermanisë dhe të Kosovës. Ai shquhet për kilometrat e shumtë që i bën duke vrapuar në fushë. Qëndron lart në listë edhe për faullet që shkaktohen ndaj tij, për përqindjen e pasimeve të sakta dhe për ndërhyrjet e suksesshme. I ka fituar 40 prej 113 ndeshjeve të deritashme në Bundesligë.

Augsburgu aktualisht mban pozitën e 12-të në Bundesligë me 13 pikë. Te kjo skuadër është edhe sulmuesi Mërgim Berisha, të cilin po ashtu e dëshiron Kosova. Berisha ka luajtur për U21 të Gjermanisë.

Vitet e para të Rexhbeçajt në Gjermani natyrisht ishin sfiduese. Ai gjithnjë ka çmuar përkrahjen që ka pasur nga familja.

“Jeta ishte e mirë për ne fëmijët, por jo e lehtë për prindërit tanë. Për shembull babai im nuk ishte thuajse kurrë në shtëpi pasi është dashur të punojë shumë. Ai megjithatë ishte në ndeshje në fundjavë. Nuk do të bëja asgjë pa familjen”, ka thënë Rexhbeçaj në një prej intervistave të tij.

Lidhja e tij me familjen mund të jetë bazë e mirë për afrimin e Rexhbeçajt te Kosova. Në kohën kur mesfusha e Kosovës assesi të stabilizohet, ardhja eventuale e një lojtari me përvojë kaq të gjatë në Bundesligë do të ishte fitore e madhe për Kosovën.