HSC Kreuzlingen ka arritur sukses historik të dielën mbrëma. Kjo skuadër e hendbollit është promovuar në Superligën e Zvicrës. Në elitë do të luajë për herë të parë.
Suksesi do të ishte i pamundur pa kontributin e shumë hendbollistëve kosovarë të kësaj skuadre. Janë katër hendbollistë nga Kosova që luajnë për Kreuzlingenin. Madje të gjithë janë reprezentues, ndërsa për skuadrën helvetike të pazëvendësueshëm.
“Është shkruar një kapitull i rëndësishëm në historinë sportive të Kreuzlingenit. Pas ekipit të vaterpolos, ekipi i hendbollit u bë vetëm i dyti nga Kreuzlingeni që promovohet në Ligën Nacionale A”, ka shkruar sajti zyrtar i klubit. “Promovimi në elitë vjen vetëm dy vjet pas kalimit nga kategoria e tretë”.
“Qëllimi ynë këtë vit ka qenë i qartë. Që prej fillimit e kemi kërkuar inkuadrimin në Superligën zvicerane”, ka thënë portieri Haris Berisha. Ai ka vlerësuar kontributin e lojtarëve të Kosovës, por pa lënë anash pjesën tjetër të skuadrës.
“Jemi munduar të japim më të mirën nga vetja. Me ndihmën e ekipit ia arritëm qëllimit”, ka shtuar Berisha. Ai është i bindur se Kreuzlingeni do të ketë stabilitet në Superligën e Zvicrës.
“Superliga zvicerane ka një kualitet ende më të lartë. Kjo bën që ne të punojmë edhe më shumë për edicionin e ri që të kemi suksese”, ka theksuar Berisha.
Kreuzlingeni kishte përfunduar edicionin në pozitën e parë në kategorinë e dytë, falë një serie të suksesshme që zgjati shumë muaj. Por është dashur ta kalojë skuadrën Wadernswil/Horgen në serinë finale. Ndaj kësaj skuadre, Kreuzlingeni fitoi me rezultatin e përgjithshëm 3:1. Fitoren e tretë dhe vendimtare, Kreuzlingeni e shënoi të dielën mbrëma në udhëtim me shifrat 27:25.
Berisha bëri dhjetë pritje nga 31 gjuajtje që shkuan në drejtim të portës. U shqua edhe Drenit Tahirukaj me nëntë gola nga 11 tentime. Bujar Ramosaj shënoi dy gola nga dy tentime, ndërsa kreu shumë punë në mbrojtje. Ai vlerësohet lider i mbrojtjes. Kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj, është edhe kapiten i Kreuzlingenit. Ai në ndeshjet e fundit dha më pak kontribut për shkak të një lëndimi. Por është lider i pakontestueshëm i skuadrës. Dedaj në fakt hapi dyert e skuadrës për tre reprezentuesit e tjerë.
Nuk përjashtohet mundësia që të tjerë lojtarë kosovarë të bashkohen me Kreuzligenin për edicionin e ardhshëm. Lionel Mirdita, një hendbollist i talentuar shqiptar nga Zvicra, tashmë ka firmosur për edicionin e ardhshëm.
“Ne jemi të gatshëm për të qëndruar në Superligë”, ka thënë presidenti i klubit, Patrick Mueller. Ai ka raporte shumë të mira me drejtuesit e Federatës së Hendbollit të Kosovës.