Sport

Katërshja e Kosovës po e udhëheq Kreuzlingenin drejt elitës

Si në asnjë skuadër të huaj, te Kreuzlingeni janë katër reprezentues të Kosovës. Bëhet fjalë për klubin zviceran të hendbollit, që garon në kategorinë e dytë helvetike. Por jo edhe për shumë gjatë.

HSC Kreuzlingen udhëheq në kategorinë e dytë zvicerane me 40 pikë nga 23 ndeshje. Tri xhiro para fundit ka tri pikë epërsi ndaj skuadrës së dytë në tabelë, Waedenswil/Horgen. Pas përfundimit të kampionatit, i pari dhe i dyti luajnë në plejof për një vend në elitë. Skuadra që shënon tri fitore kalon në elitë.

Kreuzlingenin drejt Superligës po e udhëheqin katër reprezentuesit e Kosovës, Valon Dedaj, Bujar Ramosaj, Haris Berisha e Drenit Tahirukaj. Dedaj është kapiten i Kosovës dhe i Kreuzlingenit. Te Kosova është prej bartësve të lojës, njëjtë si Ramosaj, Tahirukaj e Berisha.

Kreuzlingeni nuk nisi mirë edicionin. Por është në seri prej 15 fitoreve rresht falë të cilave edhe ka dalë në pozitën e parë.

Të shtunën, Kreuzlingeni fitoi pikërisht ndaj skuadrës me të cilën do të përballet në serinë finale, Waedenswil/Horgen. Fitoi me shifrat 35:31, ndërsa katër kosovarët ishin të pandalshëm.

Ramosaj pos që ishte “zemra” e mbrojtjes, shënoi dy gola. Tahirukaj shënoi tetë gola nga dhjetë tentime, ndërsa Dedaj kishte shtatë gola nga dhjetë tentime. Berisha ndali 11 gjuajtje të kundërshtarëve.

Sajti zyrtar i Kreuzlingenit ka shkruar se në ndeshjen e fundit Ramosaj ishte shef i mbrojtjes, ndërsa Berisha ka ndalur 41 për qind të gjuajtjeve, duke i veçuar për fitoren e rëndësishme.

“Jemi në ecuri të mirë. Kemi 15 ndeshje pa humbje dhe në vend të parë. Gjasat për Superligë i kemi shumë të mira. Ekipin e vendit të dytë me të cilin presim të takohemi në plejof, e kemi mposhtur dy herë. Të gjithë ne lojtarët e Kosovës jemi në formë shumë të mirë. Nuk duam të lejojmë befasi sa i takon kalimit në Superligë”, ka thënë Ramosaj për KOHËN.

Qendra Dedaj, i rritur në Zvicër, luan kohë më të gjatë te Kreuzlingeni. Ai hapi rrugën për transferimin fillimit të Drenit Tahirukajt, majtakut që tashmë është lojtar me shumë peshë te Kosova. Më pas portieri Haris Berisha u bashkua në “koloninë shqiptare”, pas një përvoje në nivelet e ulëta të Gjermanisë. Ramosaj, që edhe te Kosova është lojtari kryesor i mbrojtjes, u bashkua me Kreuzlingenin vitin e kaluar.

“Jemi në rrugë të mirë për në Superligë. Katër lojtarët e Kosovës jemi kryesorët. Ishim më të mirët edhe në ndeshjen e fundit. Dreniti, Bujari dhe unë kemi shënuar gjysmën e golave në ndeshjen e fundit. Harisi po ashtu ka pasur paraqitje të mirë, duke ndalur mbi 40 për qind të gjuajtjeve”, ka thënë Valon Dedaj për KOHËN.

Kreuzlingeni e ka edhe ekipin e hendbollisteve, që garon në elitë. Njëra prej lojtareve kryesore është Pashke Marku, reprezentuese e Kosovës.